Ballina Bota Ish-bankieri që fabrikoi akuzën për ‘skllavëri seksuale’ ndaj Lorna Hajdini, u largua...

Ish-bankieri që fabrikoi akuzën për ‘skllavëri seksuale’ ndaj Lorna Hajdini, u largua nga puna e re

96
0

Financieri i Wall Street-it, Chirayu Rana, personi anonim “John Doe” që ngriti një padi sensacionale — dhe mjaft të kontestuar — për ngacmim seksual ndaj një drejtuesi të JPMorgan Chase, është larguar nga firma e investimeve Bregal Sagemount, bëjnë të ditur burimeve të larta të kompanisë për “The Post”.

Gazetë kontaktoi Bregal Sagemount për një koment përpara se të publikonte lajmin ekskluziv që zbulonte identitetin e “John Doe”.

Disa orë më vonë, drejtues të burimeve njerëzore dërguan një deklaratë ku thuhej se Rana nuk ishte më pjesë e kompanisë.

“Chirayu Rana ka qenë i punësuar në Bregal Sagemount nga 20 tetori 2025 deri më 2 prill 2026. Ai nuk është më punonjës,” shkruanin drejtuesit e tij tashmë ish-punëdhënës. “Nuk jemi në gjendje të ndajmë informacione të tjera (mbi rrethanat e largimit të tij).”

Adresa e emailit të Rana-s në kompani, e cila ka selinë në Manhattan, në 200 Park Avenue, duket ende aktive. Një zëdhënës i Bregal nuk iu përgjigj kërkesës së “The Post” për koment të mëtejshëm.

Ndërkohë, ish-financieri ka nisur të fshijë gjurmët e tij digjitale pasi u publikua lajmi se ai qëndronte pas akuzave ndaj Lorna Hajdini, duke çaktivizuar profilet e tij në LinkedIn dhe Instagram.

Dokumenti shpërthyes gjyqësor, i depozituar fillimisht të hënën në një gjykatë shtetërore në Nju Jork dhe më pas i tërhequr për “korrigjime”, pretendonte se Lorna Hajdini e kishte droguar Chirayu Rana me Rohypnol dhe Viagra, e kishte kërcënuar me bonusin për të përfituar marrëdhënie seksuale dhe e kishte përndjekur në apartamentin e tij në Manhattan.

Por këto akuza, që u bënë virale, po rrëzohen pothuajse po aq shpejt sa u përhapën.

“The Post” ka konfirmuar se të dy raportonin te dy drejtorë të ndryshëm menaxhues, çka do të thotë se Hajdini nuk kishte asnjë mundësi të ndikonte në kompensimin vjetor të tij.

Padia e Rana-s kërkonte dëmshpërblime të papërcaktuara për humbje të ardhurash, stres emocional dhe dëmtim të pretenduar të reputacionit.

Një hetim i brendshëm i JPMorgan, që shqyrtoi email-e, regjistra telefonikë dhe deklarata dëshmitarësh, nuk gjeti “asnjë provë” që mbështeste pretendimet e “John Doe”, sipas një zëdhënësi të bankës.

“Pas hetimit, nuk besojmë se këto pretendime kanë bazë,” tha zëdhënësi, i cili nuk pranoi të japë detaje mbi identitetin e paditësit, por shtoi se ai kishte refuzuar të merrte pjesë në hetim ose të jepte fakte kyçe.

Një burim i tha “The Post” se Rana kishte tentuar pa sukses të negocionte një pagesë nga JPMorgan që arrinte në “miliona”.

Ndërkohë ekipi ligjor i Hajdinit ishte edhe më i prerë.

“Lorna i mohon kategorikisht këto akuza,” thanë avokatët e saj në një deklaratë. “Ajo nuk ka pasur kurrë asnjë sjellje të papërshtatshme me këtë individ dhe nuk ka qenë kurrë në vendin ku pretendohet se ka ndodhur sulmi seksual.”

Miq të drejtueses, që e përshkruan si një yll në ngritje në bankë, thonë se situata ka qenë shkatërruese për të. “Ai e ka njollosur me një fabrikim të plotë,” tha një i afërt për “The Post” të enjten.

Nga ana tjetër Rana ka pasur një karrierë të lëvizshme në disa nga institucionet më prestigjioze financiare të Wall Street-it.

I diplomuar në Rutgers University dhe ish-lojtar basketbolli në kolegj, ai ka punuar më parë në Houlihan Lokey, Credit Suisse, Morgan Stanley dhe The Carlyle Group, përpara se t’i bashkohej ekipit të financave me levë të JPMorgan në pranverën e vitit 2024.

Deri në maj të vitit 2025, marrëdhënia ishte përkeqësuar. Chirayu Rana paraqiti një ankesë të brendshme në JPMorgan, duke pretenduar ngacmime dhe hakmarrje të bazuara në racë dhe gjini.

Më pas, ai u punësua te Bregal Sagemount, një firmë relativisht diskrete e fokusuar në rritje, e drejtuar nga ish-punonjësi i Goldman Sachs, Gene Yoon, që menaxhon miliarda në kapital.

Aty, Rana kishte për detyrë të gjeneronte dhe të financonte marrëveshje në fushat e softuerit, fintech-ut dhe IT-së në shëndetësi, përpara largimit të tij misterioz muajin e kaluar.