Një nga tre objektivat e Korporatës së Investimeve Shqiptare, të shprehur specifikisht në ligjin e saj organik, është “vënia në përdorim me eficiencë i pronave shtetërore”. Por a po e realizon në të vërtetë këtë mision institucioni i drejtuar nga Elira Kokona?
Në thirrjen më të fundit, të hapur në 30 Prill 2026, Korporata ka ulur për herë të parë, në 35% pjesën e sipërfaqes së ndërtimit që do t’i kalojë shtetit pas përfundimit të projektit.
Siç ka raportuar edhe më herët ekofin.al, në projektet e para kjo përqindje ishte 45%, më pas u reduktua në 40% me projektin e Kullës së Kadastrës (Lift Tower), ndërsa tani zbret në nivelin më të ulët deri më sot, në tentativë që të nxisë interes më të madh nga investitorët privatë, por ndërkohë shteti rezulton humbësi më i madh, pasi në ndërtime me sipërfaqe masive, siç edhe projekti në fjalë, ku vetëm një ndërtesë llogaritet në 50 mijë metra katrorë, 5% më pak ose më shumë janë 2,500 metra katrorë ndërtim.

Në 30 Prill, AIC publikoi shpalljen e procedurës për një projekt të ri zhvillimi në Tiranë, që përfshin ndërtimin e “Korpusit të Institucioneve të Pavarura” në Njësinë Administrative nr. 2, në ndërtesën ku është aktualisht INSTAT dhe “Qendra për Zhvillimin Multifunksional”, që përfshin një klinikë të re mjekësore dhe një palestër komunitare në Njësinë Administrative nr. 7, në zonën e ish-fushës së aviacionit.
Sipas dokumentit të kualifikimit, projekti do të realizohet përmes një modeli partneriteti, ku Korporata mban rolin e zhvilluesit të pronave shtetërore, ndërsa partneri privat do të marrë përsipër financimin, projektimin dhe ndërtimin. Në këmbim, investitori do të zhvillojë një objekt multifunksional për sipërmarrje në pronën e Korporatës në ish-Fushën e Aviacionit, me një sipërfaqe deri në rreth 50 mijë metra katrorë.
Aspekti kryesor i garës lidhet me ofertën financiare: kandidatët duhet të garantojnë minimalisht 35% të sipërfaqes për Korporatën, ndërsa fitues do të shpallet ai që ofron përqindjen më të lartë mbi këtë prag, duke e kthyer praktikisht garën në një ankand mbi ndarjen e sipërfaqes ndërtimore.
Procedura e përzgjedhjes është e strukturuar në dy faza, ku fillimisht vlerësohen projekt-idetë arkitekturore nga një juri ndërkombëtare dhe më pas ofertat financiare. Vetëm kandidatët më të mirë në fazën e parë kalojnë në fazën finale, ku vendimtare bëhet oferta për përfitimin e Korporatës.
Një tjetër element i rëndësishëm është se partneri privat do të mbajë mbi vete të gjitha kostot kryesore të projektit, përfshirë financimin, projektimin e detajuar, pagesën e taksave dhe tarifave, si dhe sistemimin e përkohshëm të institucioneve publike që preken nga zhvillimi. Po ashtu, ai do të duhet të zhvillojë edhe dy objektet publike nga pjesa që i takon Korporatës në projektin për sipërmarrje.
Nga pikëpamja financiare, kandidatët duhet të provojnë akses në të paktën 10 milionë euro likuiditete ose linja financimi, si dhe eksperiencë të mëparshme në projekte të ngjashme me vlera disa milionë euro.
Afati për dorëzimin e aplikimeve është përcaktuar deri më 19 qershor 2026, ora 15:00, ndërsa procedura është e hapur për të gjithë subjektet, vendas dhe të huaj. /ekofin







