Ballina Politika Salianji i përgjigjet Berishës: “I damkosur nga perëndimi, jo lider i opozitës”

Salianji i përgjigjet Berishës: “I damkosur nga perëndimi, jo lider i opozitës”

74
0

Pas deklaratave të Sali Berisha në Dibër, ka reaguar Ervin Salianji me një mesazh të ashpër publik.

Salianji e cilëson Berishën si “të damkosur” dhe jo të akuzuar pa baza, duke pretenduar se ai është i vetmi politikan në Partinë Demokratike i faktuar nga një gjykatë perëndimore si i lidhur me krimin e organizuar dhe përdorimin e këtyre lidhjeve për influencë politike.

Ai thekson se, sipas tij, këto vlerësime nuk vijnë nga institucionet shqiptare, por nga struktura dhe vendime perëndimore, përfshirë ato britanike.

Duke iu referuar takimit në Dibër, Salianji e përshkroi atë si një shenjë të rënies politike të Berishës, duke e cilësuar si një aktivitet me pjesëmarrje të ulët dhe një “monolog me akuza të vjetra”.

Në reagimin e tij, ai shton se modeli i drejtimit të Partisë Demokratike nuk ka ndryshuar, pavarësisht largimeve ndër vite, duke përmendur të njëjtat struktura dhe mënyra funksionimi.

Salianji deklaron se Berisha është i refuzuar nga ndërkombëtarët dhe gjithnjë e më shumë nga vetë demokratët, duke e lidhur këtë me mungesën e garës së hapur në parti.

Në fund, ai paralajmëron publikimin e fakteve që, sipas tij, mbështesin këto pretendime dhe e përshkruan situatën në Partinë Demokratike si një “pengmarrje nga e shkuara”.