Ballina Opinion PD nuk po humbet nga Berisha, por nga ata që po heshtin...

PD nuk po humbet nga Berisha, por nga ata që po heshtin për Berishën!

62
0

Nga Klement Mile

Ka një paradoks që po e ha nga brenda Partinë Demokratike.

Shumë figura brenda saj e dinë që me këtë strategji nuk fitohet pushteti. E dinë që rikandidimi i Berishës nuk e çon partinë drejt fitores.

E dinë që kjo është rrugë pa dalje. Por… nuk flasin.

Sepse për ta, sot, heshtja është më e leverdishme se e vërteta. Nëse flasin, rrezikojnë listat, pozicionin, karrierën. Nëse heshtin, mbajnë gjallë shpresën për 2029.

Pra zgjedhja është e ftohtë, racionale: Më mirë të humbasë partia… sesa të rrezikoj unë.

Këtu është problemi real.

Sepse opozita nuk dobësohet vetëm nga një lider i fortë. Dobësohet nga një elitë që nuk reagon. Nga njerëz që në privat thonë një gjë…dhe në publik bëjnë sikur nuk shohin asgjë.

Por kjo ka një kosto që rritet çdo ditë. Sepse në politikë, nuk gjykohesh vetëm për atë që bën. Gjykohesh edhe për atë që nuk bën, kur duhet ta bësh.

Dhe në një moment, heshtja pushon së qeni “strategji personale” dhe bëhet bashkëpërgjegjësi kolektive.

Sot, shumë prej këtyre figurave e shohin veten si “liderë të së ardhmes”.

Por ka një problem të madh: Nuk bëhesh lider nesër, nëse sot nuk ke guxim të flasësh.

Sepse baza nuk harron. Nuk harron kush foli…por sidomos nuk harron kush heshti.

Dhe kur të vijë momenti i garës reale, pyetja nuk do të jetë: “Sa i aftë je?”

Do të jetë shumë më e thjeshtë: “Ku ishe kur duhej të flisje?”. Kjo është arsyeja pse demokratët duhet ta ndryshojnë këtë lojë. Jo duke e sulmuar verbërisht elitën që hesht.

Por duke bërë një gjë shumë të thjeshtë: T’i vendosin përballë përgjegjësisë publike.

Jo si grup. Por si individë.

Sepse në momentin që heshtja bëhet e dukshme…ajo bëhet edhe e kushtueshme. Dhe në politikë, gjithçka ndryshon kur kostoja ndryshon.

Prandaj kjo nuk është më çështje lideri. Është çështje karakteri politik. Sepse në fund, partitë nuk dështojnë vetëm nga ata që gabojnë.

Dështojnë nga ata që e dinë…dhe zgjedhin të mos flasin.