Georgina Rodríguez ishte një nga emrat që tërhoqi më shumë vëmendje në ‘Met Gala 2026’ në New York City, duke u shfaqur me një veshje plot simbolikë dhe histori personale. Tema e këtij viti, “Moda është Art”, u interpretua nga partnerja e Cristiano Ronaldos në një mënyrë unike, të lidhur ngushtë me besimin e saj dhe devocionin ndaj Fátimës.
Për eventin e madh të modës, Georgina zgjodhi një krijim nga stilisti Ludovic de Saint Sernin, një fustan në nuancë blu të hapur që reflektonte qetësinë dhe butësinë e figurës së Virgjëreshës së Fátimës. Veshja karakterizohej nga një siluetë elegante, e theksuar nga një korse tipike e shtëpisë franceze të modës, ndërsa detajet ishin ato që e bënin vërtet të veçantë: një vel i gjatë transparent, trëndafila të qëndisur dhe një bisht i gjatë që i jepte një pamje madhështore.
Ajo e kompletoi paraqitjen me flokë të stiluar në onde të buta dhe me një rruzare në duar, duke forcuar edhe më shumë mesazhin shpirtëror të ‘look’-ut. Në një postim në rrjetet sociale, Georgina shpjegoi frymëzimin pas kësaj zgjedhjeje: “Ky ‘look’ është i frymëzuar nga devocioni im ndaj Virgjëreshës së Fátimës. Tonet e lehta blu dhe butësia e figurës së saj u bënë baza e kësaj veshjeje, duke përkthyer spiritualitetin në ‘haute couture’.
Detajet e fustanit ishin punuar me kujdes ekstrem, me elemente të pikturuara me dorë dhe me dantellë franceze blu. Një aspekt shumë personal ishte fakti se brenda veshjes, pranë zemrës së saj, ishin qëndisur dy fraza në spanjisht: “Donde ella está, el alma encuentra refugio” dhe “Y líbranos del mal amén”, të cilat Georgina i konsideron si një lutje private të mbajtur me vete gjatë eventit.
Look-u u plotësua edhe nga një rruzare e personalizuar, e krijuar si një kombinim mes bizhuterisë dhe relikes. E realizuar në ar të bardhë dhe e zbukuruar me diamante dhe perla, ajo mbante të gdhendur emrat e Georginës, Ronaldos dhe fëmijëve të tyre, duke e kthyer në një simbol intim të familjes dhe besimit.
Para se të shfaqej në tapetin e kuq të ‘Metropolitan Museum of Art’, Georgina u pa duke dalë nga hoteli me një veshje shumë më të thjeshtë sportive, duke ruajtur surprizën për momentin e saj në shkallët ikonike.
Me këtë paraqitje, Georgina Rodríguez arriti të ndërthurte modën, artin dhe besimin në një mënyrë të rrallë, duke sjellë një nga ‘look’-et më të komentuara të mbrëmjes.







