Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, është rikthyer sërish në qeli dhe do të vuajë edhe 6 muaj e 10 ditë burg, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, e cila rrëzoi kërkesën e tij për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit deri në shqyrtimin nga Gjykata e Lartë.
Vendimi lidhet me dosjen ku Goro është shpallur fajtor për tjetërsimin e një prone në favor të ish-kryetarit të komanduar të Bashkisë Himarë, Arqile Bollano. Apeli i Posaçëm kishte konfirmuar më herët dënimin prej 2 vitesh burg, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar është ulur në 1 vit e 4 muaj heqje lirie.
Pas përllogaritjes së kohës së vuajtur dhe vendimeve gjyqësore, SPAK urdhëroi rikthimin e tij në burg. Goro ishte arrestuar fillimisht më 23 mars 2024 dhe gjatë procesit ka kërkuar vazhdimisht pafajësinë.
Më herët, ish-kryebashkiaku kishte shlyer një tjetër dënim prej 17 muajsh burg nga një vendim tjetër i formës së prerë për shpërdorim detyre dhe fshehje pasurie, lidhur me një pronë në zonën e Gjilekës në Himarë, ku përfitues fundor dyshohet të ketë qenë Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka.







