Ballina Politika Replika me “Reporterët pa Kufij”, Rama reagon pas raportit për lirinë e...

Replika me “Reporterët pa Kufij”, Rama reagon pas raportit për lirinë e medias

106
0

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social “X” lidhur me qëndrimin e organizatës Reporterët pa Kufij mbi raportin e tyre për lirinë e medias në Shqipëri.

Rama thekson se nuk ka deklaruar asnjëherë që RSF mat komunikimin e qeverisë, por sugjeron që organizata të konsultojë raportet e institucioneve që, sipas tij, bëjnë vlerësime më të plota dhe profesionale.

“Nuk thashë kurrë që ju e matni komunikimin qeveritar, por tani që e përmendni, po mendoj: a nuk është ndoshta një ide e mirë që të lexoni raportet e atyre që e bëjnë vërtet, dhe ta bëni këtë në mënyrë profesionale dhe objektive?”, shkruan Rama.

Sipas tij, ekzistojnë kontradikta të rëndësishme mes vlerësimeve të RSF dhe raporteve të tjera, veçanërisht sa i përket marrëdhënies mes qeverisë, medias dhe publikut në Shqipëri. Rama shton se, ndryshe nga pretendimet e mëparshme, iniciativa si Agjencia e Informacionit për Median kanë rezultuar në funksion të rritjes së transparencës dhe lirisë së informacionit.

Nga ana tjetër, Reporterët pa Kufij kanë reaguar publikisht, duke theksuar se vlerësimi i tyre lidhet ekskluzivisht me lirinë e medias dhe jo me komunikimin e qeverisë. Në reagimin e tyre, organizata bën të ditur se Shqipëria renditet në vendin e 83-të në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias për vitin 2026, duke shënuar një rënie me tre vende krahasuar me një vit më parë.

Sipas RSF, kjo renditje reflekton probleme si sulmet politike ndaj medias, abuzimin me institucionet ligjzbatuese, mungesën e transparencës dhe kërcënimet ndaj gazetarëve.