Një ngjarje tragjike ka tronditur veriperëndimin e Brazil, ku një 13-vjeçar hapi zjarr brenda një shkolle në Rio Branco, duke vrarë dy anëtarë të stafit dhe duke plagosur një tjetër punonjës si dhe një nxënës.
Sipas autoriteteve, adoleshenti u arrestua menjëherë pas sulmit dhe ndodhet në paraburgim, ndërsa policia ka ndaluar edhe njerkun e tij, pronar i armës së përdorur në krim. Pistoleta është konfiskuar dhe hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Dy viktimat janë identifikuar si Alzenir Pereira dhe Raquel Sales Feitosa, të cilët, sipas informacioneve paraprake, u përpoqën të ndalonin autorin pasi vunë re sjellje të dyshimta në ambientet e shkollës. Ata u qëlluan disa herë dhe humbën jetën në vend.







