Drejtoria e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar shpalli fituese bashkimin e kompanive Idea-Tel dhe Real com në tenderin e majmë 9.5 milionë euro për mirëmbajtjen e rrjetit të shpërndarjes DVB-T2.
Fondi limit i tenderit ishte parashikuar 907 milionë lekë ose 9.5 milionë euro. Bashkimi i kompanive të shpallura fituese ofruan çmimin 899.3 milionë lekë ose sa 99.2 për qind e fondit limit.
Në fakt, në garën për këtë kontratë u paraqitën tre oferta, ku më e ulëta ishte ajo e bashkimit të kompanive R&T dhe TBS 96, të cilat paraqitën çmimin 7.99 milionë euro. Por TVSH thotë se këto kompani kanë paraqitur letra të falsifikuara në tender, përkatësisht autorizimin e prodhuesit ose distributorit të autorizuar të pajisjeve transmetuese DVB-T2.
Dy kompanitë pretendonin se kishin autorizim nga një kompani e quajtur Xiamen Tongce në Kinë si distributor i autorizuar i prodhuesit Rhode & Shëarz. Por pasi TVSH, iu drejtua me shkresë si kompanisë kineze ashtu dhe Rhode& Shëartz, ato mohuan që të kishin dhënë autorizim për kompanitë R&T dhe TBS 96.
“Nga verifikimet e kryera nga komisioni i vleresimit të ofertave, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave konkludon se referuar informacionit të paraqitur nga kompania distributore Xiamen Tongce Electronics Co., Ltd., dhe kompania prodhuese Rhode & Schëarz dokumentacioni i paraqitur nga bashkimi i operatorëve ekonomik nuk është i vlefshëm pasi vetë kompania Xiamen Tongce Electronics Co., deklaron qe nuk ka lëshuar këtë dokument për bashkimin e operatorëve ekonomik “R & T”shpk & “T B S 96”shpk. Gjithashtu prodhuesi Rhode & Schëarz deklaron se kompania Xiamen Tongce Electronics Co nuk është distributor i autorizuar për territorin e Republikës së Shqipërisë,” thuhet në dokumentin e skualifikimit të ofertës së dy kompanive.

Oferta e tretë në garë ishte e kompanisë PC Store me 900 milionë lekë.
Paraqitja e dokumentave të falsifikuara në tenderat publikë është veprim që ndëshkohet automatikisht me përjashtim nga fitimi i kontratave publike deri në tre vjet. TBS 96 dhe R&T janë dy kompani, të cilat kanë marrë një sërë kontratash të rëndësishme publike, përfshirë tendera sekretë.
TBS 96 është kompania që fitoi tenderin sekret 11 milionë euro për komunikimet e policisë, por tani e njëjta kompani kapet në mashtrim.
Tenderi
Tenderi 9.5 milionë i rrjetit të mirëmbajtjes ka qenë një objekt i madh përplasjesh interesa të forta. Ky tender u hap nga ish drejtoresha Aurora Polo gjatë vitit të kaluar, pak javë para ikjes së saj. Më pas pas shumë përplasjesh tenderi u anullua nga drejtoresha e re Eni Vasili.
Në atë kohë u fol për përplasje interesash edhe nga bota e nëndhëshme e krimit në këtë tender, dhe anullimi duket se ishte varka e shpëtimit për TVSH-në.
TVSH bleu përkohësisht shërbim emergjent dhe e rihapi tenderin sërish në mars të këtij viti, ku u paraqitën tre oferta dhe fitoi ajo e bashkimit të kompanive Real com dhe Idea-Tel./kapital







