Dario Srna, sot drejtor sportiv i Shakhtar Donjetsk, po përgatitet për gjysmëfinalen e Ligës së Konferencës mes udhëtimeve të gjata dhe sfidave të mëdha, duke mos fshehur mendimet e tij për futbollin italian dhe miqësinë me Luka Modriç. Kroati, që sapo ka mbushur 44 vjeç, prej shtatë vitesh nuk luan më futboll, por topi mbetet në qendër të jetës së tij.
Të enjten, Shakhtari do të tentojë të arrijë finalen e Ligës së Konferencës, edhe pse humbi 3-1 ndeshjen e parë ndaj Kristal Palas në Krakov.
Megjithatë, Srna beson: “Jemi këtu në Angli për të provuar, me krenari, për të realizuar një ëndërr”.
Ai flet rrjedhshëm italisht, gjuhë që e përvetësoi gjatë eksperiencës te Kaljari: “E mësova mirë gjatë atij viti dhe ende mbaj kontakte me njerëzit e asaj kohe”.
Duke kujtuar sezonin 2018-19, ai ndalet te Nikolo Barela: “Është një nga më të mirët italianë, e kuptoje që atëherë potencialin e tij të madh”. Ndërsa për Fabio Pisakane thotë: “Është si vëlla për mua, e mbështes gjithmonë atë dhe Kaljarin”.
Sa i përket titullit kampion, Srna është i qartë: “Interi e meritoi plotësisht. Kristian Kivu bëri një punë të jashtëzakonshme, sidomos në rikthimin e ekipit pas zhgënjimeve të sezonit të kaluar”. Pastaj vjen tema e Luka Modriç:
“Për mua është gjithçka: shok, mik, vëlla. Më i miri i të gjitha kohërave në rolin e tij dhe ndër më të mirët absolutisht. Nuk kam pasur kurrë dyshime që klasi i tij do të dilte në pah edhe në Itali. Por…”.
Problemi i Italisë- Dhe këtu vjen kritika: “E dua futbollin tuaj, por nëse një lojtar 40-vjeçar është ndër më të fortët në kampionat, ndoshta ka një problem. Dhe fakti që Italia ka munguar në tre Botërorë e tregon këtë. Sinqerisht, nuk e prisja”. Çfarë i mungon Italisë? Përgjigjja e Srnës është e drejtpërdrejtë:
“Stadiume moderne dhe më shumë para”. Ai nuk fajëson trajnerët, përkundrazi:
“Shikoni punën e Daniele De Rosit te Xhenoa, apo Pisakane te Kaljari. Unë jam i dashuruar me Luçiano Spaletin, një nga më të mirët në botë.
Pastaj janë edhe Antonio Konte, Masimiliano Alegri, Mauricio Sarri… Problemi janë lojtarët, që nuk janë aq shumë”. Mes talenteve që pëlqen, përmend sërish Barelën dhe edhe Françesko Pio Espozito.
Për Artem Dovbik dhe vështirësitë te Roma, ai thotë: “Ndoshta fat i keq. Për mua është një kampion i madh”.
Ukraina- Më pas, një reflektim më i thellë: “Ne nuk luajmë në shtëpi që nga 2014, vijmë nga një vend në luftë dhe çdo ndeshje jashtë do të thotë të paktën 17 orë udhëtim me autobus dhe tren. Nuk është e lehtë, por duam të japim një mesazh: sporti nuk ndalet”.
Në fund, edhe objektivat: “Tani fokusi është Ligës së Konferencës. Kristal Palas është skuadër e Premier League dhe ka fituar ‘FA Cup’ dhe ‘Community Shield’, mjafton për të kuptuar sa i fortë është kundërshtari. Por jemi në Londër për të provuar.
Pastaj na presin sërish 17 orë udhëtim. Mund të fitojmë edhe kampionatin, na duhen vetëm dy pikë. Do të ishte diçka e jashtëzakonshme për ne. E meritojmë. Dhe mezi presim të rikthehemi në Champions League”.







