Ballina Ekonomia Lufta rriti inflacionin, në prill arriti në 2.8%, niveli më i lartë...

Lufta rriti inflacionin, në prill arriti në 2.8%, niveli më i lartë në 2 vite

58
0

Pasojat e luftës në Iran po bëhen çdo ditë e më të prekshme në ekonominë shqiptare, e konkretisht për xhepin e qytetarëve që po shpenzojnë më shumë për të njëjtat produkte.

Në muajin prill inflacioni thotë INSTAT rezultoi në 2.8%, që edhe pse duket një shifër e ulët në raport me çmimet në treg nga karburantet e deri tek ato të shportës, në të vërtetë është norma më e lartë prej 2024-ës, kur sapo nisën të zbehen pasojat e krizës që solli lufta në Ukrainë.

Siç edhe pritej, rritja e inflacionit ka ardhur kryesisht nga grupi i transportit, ku ka ndikimin më të madh karburanti. Me 8.5% është shtrenjtuar transporti thuhet në raport, duke u rritur me 1% krahasuar me marsin, e duke arritur shifrën më të lartë të 4 viteve të fundit.

Brenda këtij grupi, kontributin më të madh në rritjen e çmimeve e kanë dhënë karburantet, që janë shtrenjtuar me 10.1%, shtrenjtimi më i fortë prej dhjetorit 2022. Para se të niste lufta çmimi i naftës varionte nga 173-175 lekë litri dhe benzina deri 176 lekë litri. Ndërsa në muajin prill arriti deri në 224 lekë, por nëse s’do ishte ulur me 20% akciza, do ishte shitur deri 233 lekë.

Grupi i dytë me shtrenjtimin më të madh janë qiratë dhe energjia elektrike me 4.7% krahasuar me vjet. Në këtë kategori, çmimet e qirave po udhëheqin që në prill rezultuan 7.1% më të larta se vjet. Kurse ushqimet sipas këtij raporti u kushtuan 1.3% më shumë se vjet, i ndikuar më shumë nga shtrenjtimi i produkteve të mishit dhe peshkut.

Më 6 maj pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Banka e Shqipërisë, guvernatori Gent Sejko edhe pse njoftoi se norma bazë e interesit do mbetet e pandryshuar në 2.5%, paralajmëroi një rritje të inflacionit mbi 3% dhe një ngadalësim i rritjes ekonomike, por efekti real varet nga zgjatja apo përshkallëzimi i konfliktit në lindjen e Mesme.