Nga Andrea Danglli
Veç për ju që po pështyni mbi Robert Ndrenikën!
Prej vitesh, Robert Ndrenikën e kemi kthyer në një projekt personal të ndërgjegjes dhe nuk e di pse.
Secili ka shpikur Robertin e tij brenda vetes dhe mërzitemi kur ai që kemi vizatuar nuk përputhet me Robertin 84-vjeçar që shohim.
Zhgënjehemi, e kryqëzojmë dhe pështyjmë në rrjetet sociale aq fort sa mundemi, kur Roberti real nuk sillet sipas skenarit revolucionar që ne kemi shkruar brenda kokës sonë për të.
Një Robert që duhet të flasë, të revoltohet, të përballet me pushtetin dhe, pse jo, ta rrëzojë e ta marrë zvarrë atë.
Duam që Roberti ynë të ngrejë zërin aq sa t’i shqyejë mushkëritë, për çmimet, pensionet, spitalet, infrastrukturën, vjedhjen, degradimin e administratës, arrogancën e pushtetit dhe 1001 zullume që janë bërë si mal pelegrinazhi për prokurorët e SPAK-ut. Madje t’i ulërijë laringu për të kompensuar edhe apatinë e opozitës që ka jo pak kusure të tranzicionit.
Troç, të gjithë duam që Roberti ynë të bëjë atë që ne nuk bëjmë dot.
Të ketë sytë, mendjen dhe zemërimin tonë, ku me forcën e emrit të tij, të thotë ato që ne vetëm i belbëzojmë në tavolina kafenesh apo i hedhim si thika në gijotinën digjitale me emrin Facebook, TikTok dhe Instagram.
E gjitha kjo është një hipokrizi e frikshme në mënyrën se si po trajtohet aktori ynë i madh, që sot po provon mbi kurriz se ç’do të thotë Sheriat online.
Marrëzia është bërë si algoritëm dhe reagimet po bëhen veç që të përputhen me atë që duan të lexojnë njerëzit dhe jo me arsyen.
Padyshim edhe mua më vjen keq për skenën që pashë në gjykatë dhe sidomos që forca e Robertit nuk përdoret për një realitet që shumica bën sikur nuk e jeton.
Por pse ia kërkojmë vetëm atij? Ose ti që më lexon edhe thua “turp maskarai”, me ç’të drejtë morale a ligjore ia kërkon?
Si e shpjegon që helmi i derdhur ndaj tij ia kalon edhe atij ndaj Erion Veliajt, ku me lehtësinë e të bërit një like, ia fashisim një jetë të tërë në skenë e kontribut, duke ia përbaltur artin që na ka dhënë.
Nëse heqim perdet e moralit, në bankën e të akuzuarit nuk është ai, por kryebashkiaku i Tiranës, i cili politikisht nuk më dhimbsët fare dhe shpresoj që drejtësia t’i nxjerrë ujë të zi nëse vërteton se ka vjedhur djersën e këtij vendi.
Robert Ndrenika (jo ai në mendjen tonë) nuk është prokuror, gjykatës apo revolucionar me kontratë publike, madje nuk është as përgjegjës për pafuqinë tonë.
Ndaj, sot nuk është shembur ndonjë ikonë, është shembur veç miti ynë, i cili kërkon që një burrë i plakur të mbajë mbi supe gjithë barrën morale të shoqërisë, politikës, elitës, medias.
Ata që duan, e kuptojnë se e vërteta në këtë rast është krejt njerëzore.
Ai burrë i moshuar, i ardhur nga diktatura, ka të drejtë të puthë kë të dojë në demokraci, duke marrë parasysh edhe dritëhijet e atij që zgjedh t’i gjendet pranë.
Vetë historia njeh pafund artistë, shkrimtarë, aktorë e intelektualë që në momente të caktuara kanë mbështetur njerëz të gabuar, diktatorë apo pushtete mizore.
Por për ta është një kohë tjetër ajo që gjykon. Ne jo, se kemi këtë të drejtë morale.
Andaj, problemi ynë sot nuk është një puthje mbi ballë në sallën e gjyqit, e madje as ato puthje që shumë ulen edhe në gjunjë për t’i dhënë në mënyrë që t’ia hedhin paq kësaj jete e pastaj të shtiren si gjykatës integriteti e dinjiteti.
Problemi ynë është nevoja patologjike për të kërkuar shpëtimtarë moralë, duke qenë se ne vetë kemi hequr dorë nga përgjegjësitë individuale.
Ta flemë mendjen njëherë e mirë: Robert Ndrenika është Robert Ndrenika, jo ai që kemi ndërtuar ne në kokën tonë që e shohim flamurtar në beteja.
Këtë të fundit, është mirë ta imitojmë vetë nëse nuk kemi ndonjë variant më të mirë se të vetëvetes.







