Ballina Politika ‘1 në 2 tendera publikë jepet pa garë reale’ – Tabaku i...

‘1 në 2 tendera publikë jepet pa garë reale’ – Tabaku i përgjigjet Ramës, publikon letrën e BE-së për ligjin e porteve

62
0

‘Shifrat e prokurimeve publike janë më kokëforta se propaganda. 1 në 2 tendera publikë jepet pa garë reale”. Kjo është përgjigjja e deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ndaj  pretendimeve të kryeministrit Edi Rama, i cili deklaroi se Shqipëria qëndron mbi mesataren e Bashkimit Europian për prokurimet publike.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, Tabaku i kujton Ramës shkresën e Bashkimit Europian ku ngrihen shqetësime për ndryshimet në ligjin porteve, që lejojnë dhënien e tyre pa garë tek klientët e qeverisë.

Statusi i plotë i Tabakut

Shifrat e prokurimeve publike janë më kokëforta se propaganda. 1 në 2 tendera publikë jepet pa garë reale. Nga pjesa tjetër, shumica e parave përfundon tek një pakicë kompanish që qarkullojnë fondet publike prej vitesh.

Ndërkohë projektet më të mëdha të vendit kalojnë me ligje speciale, PPP, koncesione apo “investitorë strategjikë”, shpesh në kundërshtim me frymën e MSA-së dhe parimet e konkurrencës së lirë të BE.

Portet turistike strategjike janë kapitulli më i ri i këtij modeli: prona publike dhe infrastruktura strategjike transferohen pa garë reale dhe pa standarde të barabarta tregu.

Dhe problemi nuk zgjidhet duke i vendosur sistemit emra si “AI”, “Diella”, AKSHI apo EA Solution.

Sepse kur sistemi politik prodhon klientelizëm, favorizim dhe ligje me porosi, ai prodhon automatikisht edhe “viruse” që infektojnë çdo teknologji.

Inteligjenca artificiale nuk mund të krijojë transparencë aty ku mungon vullneti politik për konkurrencë reale.