Ballina Politika Boçi në Fier: Reforma territoriale e vitit 2014 dështoi, pushteti vendor duhet...

Boçi në Fier: Reforma territoriale e vitit 2014 dështoi, pushteti vendor duhet t’u rikthehet qytetarëve

56
0

Në fjalën hapëse, bashkëkryetari i Komisionit dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, theksoi se reforma territoriale e vitit 2014 ka dështuar në përfaqësim, në ofrimin e shërbimeve dhe në garantimin e autonomisë vendore. Boçi deklaroi se Fieri ka qenë një nga qarqet që nuk e ka pranuar ndarjen territoriale të vitit 2014 dhe se ekzistojnë kërkesa legjitime për një riorganizim të ri administrativ.

Sipas tij, një reformë territoriale nuk mund të ndërtohet në zyrat e qeverisë apo mbi variante të paracaktuara politike, por duhet të bazohet tek dëgjimi i qytetarëve dhe nevojat reale të komuniteteve. Ai kujtoi se projekti fillestar i reformës së vitit 2014 parashikonte 46 njësi vendore, por më pas u ndryshua në 61 bashki “për arsye politike”, duke e cilësuar atë një “hartë politike” dhe jo një reformë në funksion të qytetarëve.

Boçi ngriti shqetësimin se reforma ka sjellë dobësim të përfaqësimit lokal dhe mungesë të llogaridhënies, ndërsa diferencat në shërbime mes qendrave urbane dhe zonave rurale janë thelluar. Duke iu referuar edhe raporteve të SIGMA-s, ai theksoi se qytetarët në zonat rurale marrin shërbime më të dobëta dhe më larg standardeve të kërkuara.

Në fjalën e tij, ai lidhi problematikat e pushtetit vendor edhe me fenomenin e shpopullimit dhe emigracionit, duke argumentuar se mungesa e një pushteti vendor efikas ka ndikuar në largimin e qytetarëve nga zonat rurale dhe nga vendi. Boçi kritikoi gjithashtu mungesën e decentralizimit real dhe autonomisë financiare për bashkitë, duke theksuar se hendeku mes bashkive të mëdha dhe atyre të vogla është thelluar pas reformës së vitit 2014.

Në përfundim, ai u bëri thirrje qytetarëve që diskutimi të mos shihet si një debat politik, por si një proces për t’i afruar pushtetin vendor qytetarëve dhe për të ndërtuar bashki më funksionale, me kompetenca të qarta dhe autonomi financiare reale.