Kryeministri Edi Rama ka pritur në një vizitë oligarkun hungarez Gellért Jászai, aksioneri kryesor i kompanisë 4iG, që në Shqipëri zotëron One Albania. Lajmin e ka bërë publik vetë Jászai në tëitterin e tij, duke njoftuar se diskutoi me kryeministrin shqiptar vizionin afatgjatë të 4iG-së në Shqipëri.
“Ishte një nder i madh të takohesha përsëri me Kryeministrin Edi Rama në Tiranë për të diskutuar vizionin afatgjatë dhe ambiciet strategjike të 4iG Nyrt. në Shqipëri,” shkruan Jászai.
Sipas biznesmenit hungarez diskutimet me kryeministrin shqiptar përfshinë kabllin nënujor të planifikuar mes Egjiptit dhe Shqipërisë.
“Diskutimet tona mbuluan gjithashtu projektin e kabllit nënujor EAGLE të planifikuar midis Egjiptit dhe Shqipërisë, një iniciativë strategjikisht e rëndësishme për lidhjen e të dhënave në Mesdhe. Projekti është hartuar për të krijuar një urë dixhitale kritike midis Afrikës së Veriut, Lindjes së Mesme, Ballkanit Perëndimor dhe Evropës, ndërkohë që mbështet gjithashtu zhvillimin e një rrjeti optik të gjeneratës së ardhshme në Ballkan,” njoftoi Jászai.
Por një tjetër projekt i diskutuar si potencial për të ardhmen ka qenë ndërtimi i Data Centareve në Shqipëri, një biznes i cili po njeh rritje të madhe veçanërisht pas shpërthimit të inteligjencës artificiale.
“Ne shqyrtuam mundësitë e ardhshme në lidhje me investimet në qendrat e të dhënave në Shqipëri, të cilat formojnë një shtyllë të rëndësishme të strategjisë sonë më të gjerë rajonale të infrastrukturës dixhitale,” shkruan Jászai.
4iG, pronarja e kompanisë celulare One Albania është një kompani me lidhje të forta me ish kryeministrin hungarez Orban. Pronari i saj Gellert Jászai konsiderohet nga mediat hungareze si një vasal i Viktor Orban.
Në qershor të vitit të kaluar, kryeministri i ri hungarez Peter Magyar, në atë kohë në opozitë, shiti aksionet që zotëronte në këtë kompani në shenjë proteste kundër asaj që e quajti si tradhëti kombëtare, privatizimin e industrisë hungareze të mbrojtjes tek 4iG përmes kontratave të dyshimta.
Pas ardhjes së Magyar në pushtet, 4iG po përballet me një presion të madh në Hungari, teksa Magyar ka paralajmëruar anullimin e kontratave që ajo ka përfituar nga shteti si dhe vënien e kompanisë nën hetim. Disa media hungareze shkruajnë se heqja e mundshme e mbështetjes shtetërore mund të çojë në falimentimin e kompanisë, e cila ka një nivel të lartë borxhi për shkak të ekspansionit agresiv duke kaluar nga një kompani me vlerë 20 milionë dollarë para 8 vitesh, në një kompani që sot vlen mbi 3.5 miliardë dollarë.
Por që nga fitorja e Magyar, aksionet e 4iG kanë humbur mbi 50 për qind të vlerës së tyre dhe me sa duket tashmë Jaszai është duke kërkuar shpëtim jashtë Hungarisë./Kapitali







