‘Raportuesi’ u befasua kur pa një postim në rrjetet sociale nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të martën, i cili sfidonte raportimin mbi një intervistë të zhvilluar të hënën me ministrin e Jashtëm të vendit, Ferit Hoxha, intervistë që shkaktoi debat politik në Itali.
Intervista fokusohej në deklaratën e Hoxhës se marrëveshja Itali–Shqipëri për emigracionin nuk do të zgjatet pas vitit 2030, sepse deri atëherë Shqipëria pret të jetë bërë pjesë e Bashkimit Europian.
Këto deklarata u pasqyruan gjerësisht në shtypin italian, nga ‘La Stampa’ deri te ‘Corriere della Sera’. Ministri i jashtëm italian, Antonio Tajani. u tha gazetarëve: “2030 është shumë larg; le të fokusohemi te ajo që duhet të bëjmë tani”.
Rama shkroi online: “Të gjithë gazetarëve nga Italia dhe më gjerë, që po na kontaktojnë për një citim të pasaktë të raportuar nga një media… dua të ritheksoj qartë dhe shpresoj njëherë e mirë, se protokolli ynë me Italinë është këtu për të qëndruar, për aq kohë sa Italia e dëshiron”.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni iu përgjigj postimit me një “Grazie Edi”.
Për saktësi, ja çfarë tha Hoxha, fjalë për fjalë: “Po ju them se pas pesë vitesh, kur Shqipëria të anëtarësohet, kjo nuk është më territor ekstraterritorial. Është territor i Bashkimit Europian. Së pari, është për pesë vite dhe nuk jam i sigurt se do të ketë zgjatje. Së dyti, nuk do të ketë zgjatje sepse ne do të jemi anëtarë të Bashkimit Europian”.
‘Raportuesi’ shprehet gjithashtu se do të ishte i gatshëm t’i dërgonte kryeministrit një kopje të transkriptit, nëse ai dëshiron ta shohë./ EURACTIV







