Ballina Aktualitet Projekti TID/ Banorët përsëri protestë në dyert e Bashkisë së Durrësit: Projekti...

Projekti TID/ Banorët përsëri protestë në dyert e Bashkisë së Durrësit: Projekti i parregullt që në fillim

59
0

Banorët që preken nga projekti TID në Durrës janë mbledhur sërish sot përpara bashkisë, një ditë pasi zhvilluan edhe një protestë tjetër për të kërkuar më shumë transparencë mbi fatin e banesave dhe pronave të tyre. Ata shprehen se prej kohësh po përballen me paqartësi dhe mungesë informacioni lidhur me procedurat që po ndiqen për zbatimin e projektit.

Një përfaqësi e banorëve zhvilloi një takim me Drejtoreshën Ligjore të Bashkisë së Durrësit, Anila Roshi, e cila i informoi mbi hapat që po ndërmerren nga institucionet. Sipas banorëve, aktualisht po rishikohen nga e para të gjitha objektet dhe statusi i tyre ligjor, për të përcaktuar më pas mënyrën se si do të procedohet me shpronësimet.

Përfaqësuesja e banorëve, Entela Koja, tha se kundërshtimi i tyre lidhet kryesisht me prishjen e objekteve pranë amfiteatrit, pasi sipas saj nuk ka pasur një verifikim të qartë që në fillim të projektit.

Ajo u shpreh se bashkia po vazhdon të verifikojë pronat dhe pronësitë, veçanërisht ato raste që sipas banorëve janë përfshirë gabimisht në listën e objekteve për prishje.

“Ne nuk jemi për prishje dhe shpronësim aty ku nuk ka nevojë të prishet asgjë”, deklaroi Koja, duke shtuar se presin që Ministria e Kulturës të sjellë një grup pune për të evidentuar të gjitha pronat e prekura nga projekti. “Bashkia po bën një punë të veten për sqarimin e pronave dhe pronësive të secilit, sidomos të atyre që nuk janë njohur. Kjo tregon që puna e projektit që në fillim nuk ka qenë ë qartë.

Nuk e pranojnë faktin që janë ndryshuar destinacionet komuniteteve fetare megjithëse ne kemi prononcime t tyre që e pranojnë. Kryesorja është te ministria e Kulturës që sipas bashkisë do të sjellë grupin e punës për të evidentuar të gjitha pronat, sidomos ato të pretenduara prej nesh se janë dhënë gabimisht për prishje. Ata vijojnë të saktësojnë prona që duhet të ishin saktësuar që në fillim. Ne nuk jemi për prishje e shpronësim aty ku nuk ka nevojë të prishet gjë”, tha Entela Koja.

Çfarë është projekti TID dhe pse po kundërshtohet?

Projekti TID parashikon transformimin e qendrës historike të Durrësit, përfshirë edhe bulevardin “Epidamn”, një nga zonat më të vjetra dhe më të frekuentuara të qytetit.

Por ky projekt ka ngritur shqetësime të forta, pasi parashikon prishjen e dhjetra banesave dhe bizneseve private. Rreth 74 familje preken drejtpërdrejt nga shpronësimet, ndërsa fondi i akorduar për kompensim është rreth 315 milionë lekë.

Banorët pretendojnë se dëmshpërblimet janë shumë më të ulëta se çmimi i tregut, çka sipas tyre i lë pa mundësi për të blerë një banesë tjetër.

Projekti përfshin edhe ndërhyrje në zona të rëndësishme historike si amfiteatri, muret bizantine dhe zona pranë Torrës Veneciane, ndërsa parashikon edhe ndërtimin e hapësirave të reja publike dhe parkimeve.