Ballina Sport Alarm për Botërorin 2026, shkencëtarët paralajmërojnë FIFA-n: Temperaturat ekstreme mund të rrezikojnë...

Alarm për Botërorin 2026, shkencëtarët paralajmërojnë FIFA-n: Temperaturat ekstreme mund të rrezikojnë lojtarët

48
0

FIFA është vënë nën presion nga një grup shkencëtarësh dhe ekspertësh ndërkombëtarë, të cilët paralajmërojnë se temperaturat e larta gjatë Kupës së Botës 2026 mund të rrezikojnë seriozisht shëndetin e futbollistëve.

Në një letër të publikuar së fundmi, 20 ekspertë nga fusha e shëndetësisë, klimës dhe performancës sportive kritikojnë masat aktuale të FIFA-s, duke i cilësuar ato si “të pamjaftueshme” dhe jo në përputhje me standardet më të fundit shkencore.

Sipas tyre, turneu që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë mund të zhvillohet në kushte ekstreme nxehtësie, sidomos në jugun e SHBA-së dhe veriun e Meksikës, ku temperaturat mund të afrohen deri në 40 gradë Celsius.

Ekspertët theksojnë se kombinimi i temperaturës së lartë, lagështisë dhe rrezatimit diellor rrit ndjeshëm rrezikun e stresit termik për lojtarët.

Ata kërkojnë që FIFA të ndërhyjë urgjentisht me masa më të forta mbrojtëse.

Aktualisht, FIFA ka parashikuar pushime tre-minutëshe për freskim gjatë çdo pjese të ndeshjeve, si dhe stola me klimë të kontrolluar për stafet dhe lojtarët rezervë.

Gjithashtu përdoret sistemi WBGT, që mat nivelin e stresit nga nxehtësia në organizëm.

Megjithatë, shkencëtarët kërkojnë rregulla më të ashpra, duke propozuar shtyrjen e ndeshjeve kur niveli WBGT kalon 28°C, pushime më të gjata prej të paktën gjashtë minutash dhe pajisje më moderne ftohjeje për futbollistët.

Ata gjithashtu i bëjnë thirrje FIFA-s të adoptojë standardet e propozuara nga FIFPRO, duke paralajmëruar se ndryshimet klimatike po krijojnë sfida të reja serioze për futbollin modern.