Dy vëllezër me origjinë shqiptare, banues në Mestre të Italisë, janë arrestuar nga autoritetet italiane pas një përplasjeje të dhunshme me armë zjarri dhe thika, ku në qendër të konfliktit dyshohet të ketë qenë një vajzë e re me origjinë moldave.
Ngjarja ndodhi më 10 nëntor në Mogliano Veneto, në zonën e Via Italo Svevo, pranë një shkolle të mesme, ku sipas mediave italiane dy grupe shqiptarësh kishin organizuar një takim për të “larë hesapet”. Situata degradoi me shpejtësi në përdorimin e armëve të ftohta dhe të armëve të zjarrit, duke shkaktuar panik në zonë dhe plagosjen e disa personave.
Pas hetimeve të zhvilluara nga Karabinierët dhe të koordinuara nga Prokuroria e Trevisos, të martën më 12 maj u ekzekutuan dy masa sigurie ndaj personave të dyshuar.
Një shqiptar 31-vjeçar u vendos në arrest shtëpie me byzylyk elektronik, ndërsa një tjetër 22-vjeçar u dërgua në paraburgim. Autoritetet italiane kanë bërë të ditur se një person i tretë do të merret në pyetje nga gjykata për të përcaktuar masën e sigurisë ndaj tij. Sipas hetimeve paraprake, konflikti kishte motive personale dhe lidhej me raportet me një vajzë moldave, çka çoi në përshkallëzimin e dhunës mes palëve.
Nga përplasja mbetën të plagosur disa persona, mes tyre një 34-vjeçar i pastrehë, i cili u godit me thikë dhe më pas u arrestua për të shtënat me armë ndaj makinave të parkuara në zonë.
Një tjetër 35-vjeçar nga Mestre u qëllua në gjoks, ndërsa një shqiptar tjetër 35-vjeçar mori plagë në gjymtyrë dhe në brinjë gjatë konfliktit. Të dyshuarit akuzohen për përleshje të rënduar, tentativë vrasjeje dhe posedim të paligjshëm të armëve, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar rolin e secilit person të përfshirë në ngjarjen e rëndë.







