Një video që po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale ka ndezur reagime dhe teori të shumta mes fansave të Michael Jackson. Në pamje shihet një burrë i ulur në autobus, i cili ngjan në mënyrë të habitshme me legjendën e muzikës pop.
Pamjet janë bërë virale në TikTok, Instagram dhe Facebook, ndërsa mijëra përdorues kanë komentuar të habitur për ngjashmërinë e madhe me këngëtarin e ndjerë. Disa shkruajnë se “duket identik si Michael”, ndërsa të tjerë kanë nisur edhe teori konspirative duke pretenduar se artisti mund të jetë ende gjallë.
Videoja është shpërndarë edhe nga media dhe faqe virale ndërkombëtare, të cilat e kanë cilësuar personin si një “lookalike” të famshëm të Michael Jackson. Sipas raportimeve, pamjet dyshohet se janë filmuar në Brazil.
Megjithatë, nuk ka asnjë provë që personi në video të ketë lidhje reale me ikonën e muzikës. Për më tepër, me përhapjen e videove të krijuara nga Inteligjenca Artificiale, shumë përdorues kanë ngritur dyshime se pamjet mund të jenë të manipuluara ose të gjeneruara me AI për të krijuar efekt viral në rrjet.
Ekspertët kanë paralajmëruar shpesh se teknologjia e re e Inteligjencës Artificiale po e bën gjithnjë e më të vështirë dallimin mes videove reale dhe atyre të krijuara në mënyrë dixhitale, sidomos kur bëhet fjalë për personazhe të famshëm.
Michael Jackson, i njohur si “Mbreti i Pop-it”, ndërroi jetë në vitin 2009, por edhe pas kaq vitesh figura e tij vazhdon të ngjallë kuriozitet dhe teori të shumta në internet.







