Qeveria ka miratuar udhëzimin për zbatimin e ligjit të shumëdebatuar të “Paqes Fiskale”, duke përcaktuar në detaje procedurat për faljen, fshirjen apo shuarjen e detyrimeve tatimore dhe doganore për bizneset dhe individët. Dokumenti i publikuar në Fletoren Zyrtare sqaron kategoritë që përfitojnë, kushtet që duhet të plotësohen, afatet e pagesave, si dhe rastet kur subjektet përjashtohen nga skema.
Sipas udhëzimit, përfitues do të jenë tatimpaguesit aktivë, pasivë apo të çregjistruar që kanë detyrime ndaj administratës tatimore qendrore, vendore apo doganore. Një nga elementët më të fortë të skemës është fshirja automatike e detyrimeve të vjetra deri në fund të vitit 2014. Për këtë kategori falen detyrimet tatimore të papaguara, përveç kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si edhe gjobat dhe kamatëvonesat e akumuluara ndër vite.
Ndërkohë, për detyrimet e krijuara në periudhën 2015-2019, ligji parashikon dy formula lehtësuese. Bizneset që paguajnë 50% të principalit brenda 30 qershorit 2026 do të përfitojnë faljen e 50% të mbetur, si dhe fshirjen totale të gjobave dhe kamatëvonesave. Alternativa e dytë parashikon pagesën e 75% të principalit deri më 31 dhjetor 2026, ndërsa 25% e mbetur do të shuhet bashkë me penalitetet.
Për detyrimet e viteve 2020-2024 nuk parashikohet falje e principalit, por vetëm fshirje e gjobave dhe interesave, me kusht që të paguhet e gjithë shuma kryesore brenda fundit të vitit 2026. E njëjta logjikë zbatohet edhe për sigurimet shoqërore e shëndetësore, ku falen penalitetet nëse paguhet 100% e kontributit.
Udhëzimi sjell gjithashtu një “pastrim” të detyrimeve për subjektet e çregjistruara. Fshihen automatikisht të gjitha detyrimet për persona fizikë apo juridikë të çregjistruar deri më 31 dhjetor 2024, përveç sigurimeve shoqërore. Po ashtu falen automatikisht gjobat e krijuara nga mosdeklarimet në afat, gjobat për dorëzim të vonuar të pasqyrave financiare apo penalitetet e gjeneruara automatikisht nga sistemi tatimor.
Një tjetër element me rëndësi është kompensimi automatik i borxheve me kreditë e TVSH-së apo tepricat kreditore të tatimeve të tjera. Administrata tatimore do të përdorë automatikisht kreditë e subjekteve për të ulur detyrimet e papaguara, pa qenë nevoja për procedura shtesë nga biznesi.
Skema përfshin edhe administratën doganore. Për detyrimet doganore deri në fund të vitit 2014 parashikohet fshirje automatike e detyrimeve të papaguara dhe penaliteteve, ndërsa për periudhën 2015-2019 zbatohet i njëjti mekanizëm si te tatimet: pagesa e 50% ose 75% të principalit në këmbim të faljes së pjesës së mbetur dhe të gjitha gjobave e kamatëvonesave.
Megjithatë, jo të gjithë subjektet do të mund të përfitojnë. Nga skema përjashtohen bizneset dhe individët që janë dënuar apo janë nën hetim për vepra penale në fushën tatimore ose doganore. Nëse gjatë zbatimit të ligjit nis një hetim penal ndaj subjektit, falja anulohet dhe detyrimet rikthehen.
Ligji prek edhe çështjet në proces gjyqësor apo administrativ. Tatimpaguesit që kanë detyrime në apel apo në gjykatë mund të përfitojnë vetëm nëse heqin dorë nga ankimi apo procesi gjyqësor. Afati maksimal për të paraqitur aktin e heqjes dorë është 30 nëntori 2026.
Një element tjetër që pritet të shkaktojë debat është publikimi i listës së 3 mijë tatimpaguesve që përfitojnë më shumë nga falja fiskale. Sipas udhëzimit, deri më 31 janar 2027 administrata tatimore dhe doganore duhet të publikojnë në faqet zyrtare subjektet që kanë përfituar fshirjen apo shuarjen më të madhe të detyrimeve, duke përfshirë të gjitha rastet kur vlera e falur është mbi 5 milionë lekë.
Zbatimi i plotë i ligjit do të zgjasë deri në fund të vitit 2026, ndërsa administrata tatimore, doganat dhe pushteti vendor janë ngarkuar të kryejnë fshirjen e detyrimeve nga regjistrat dhe të njoftojnë elektronikisht subjektet për efektet e përfituara nga “Paqja Fiskale”. /ekofin.al













