Opozita shqiptare duket se ka arritur një konsensus të brendshëm për një ndryshim rrënjësor të sistemit zgjedhor, një lëvizje që pritet të jetë pika qendrore e negociatave në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
Partia Demokratike ka rënë dakord me aleatët e saj për një propozim konkret që synon të rrisë përfaqësimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe të minimizojë deformimin e votës.
I ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, deputeti demokrat Ivi Kaso theksoi se në zemër të propozimit qëndron kalimi në një sistem proporcional kombëtar, ku e gjithë Shqipëria do të funksionojë si një zonë e vetme zgjedhore.
Propozimi, i mbështetur gjerësisht brenda koalicionit opozitar, tha Kaso, përfshin lista 100% të hapura, duke u dhënë mundësi votuesve të zgjedhin drejtpërdrejt kandidatin e tyre të preferuar, dhe jo vetëm partinë.
Për të hyrë në Parlament, partitë politike do të duhet të kalojnë një prag kombëtar prej 4%.
Arsyeja kryesore pas këtij ndryshimi, u shpreh Kaso, është nevoja për një përfaqësim sa më të drejtë, ku vullneti i zgjedhësve të përthyhet sa më pak.
Kjo, vijoi ai, vjen si përgjigje ndaj një humbjeje besimi të qytetarëve te politika, shkaktuar nga shkëputja e deputetëve nga votuesit. Megjithatë, sistemi i propozuar mbart edhe dilemat e tij. Duke e kthyer gjithë vendin në një zonë të vetme, lidhja mes deputetit dhe një territori të caktuar do të humbiste, duke rrezikuar llogaridhënien për çështje lokale.
Një pikë tjetër thelbësore e paketës opozitare është rikthimi i koalicioneve parazgjedhore në formatin e tyre origjinal.
Ivi Kaso u shpreh se Ndryshimet kushtetuese të njëanshme të vitit 2020 nga mazhoranca i hoqën partive mundësinë për të garuar me lista të veçanta brenda një koalicioni.
Opozita, tha Kaso, kërkon që çdo parti të ketë mundësinë të garojë me siglën dhe kandidatët e saj, dhe më pas mandatet të ndahen në mënyrë proporcionale brenda koalicionit.
Nga ana tjetër, ai shprehu rezerva lidhur me qëndrimin e mazhorancës, e cila flet për “lista të hapura” për kandidatët, por mban “lista të mbyllura” për partitë, duke i detyruar të shkrihen në një listë të vetme.
Negociatat nuk priten të jenë të lehta. Mazhoranca ka lëshuar sinjale se mund të pranojë ndryshimin e sistemit vetëm në këmbim të uljes së numrit të deputetëve në Parlament nga 140 në 101. Kjo çështje, bashkë me propozimet e opozitës, do të jetë në qendër të diskutimeve në tryezën e reformës.
Me një propozim të unifikuar në dorë, opozita i paraqet mazhorancës dy kërkesa kryesore: ndryshimin e sistemit në proporcional kombëtar me lista të hapura dhe rikthimin e koalicioneve parazgjedhore.
Fati i zgjedhjeve të ardhshme varet nga aftësia e palëve për të gjetur një gjuhë të përbashkët në tryezat e debatit politik.







