Debatet për rregulloren e re të Kuvendit nuk po bllokohen më nga opozita. Ironikisht, pengesa më e madhe duket se ndodhet brenda vetë mazhorancës. Dhe në qendër të kësaj përplasjeje është sërish komisioni i Fatmir Xhafajt.
Pas javësh negociatash dhe pazari politik për reformimin e rregullores parlamentare, pika që po prodhon kundërshtitë më të forta lidhet me kompetencat e komisionit të drejtuar nga Fatmir Xhafaj dhe sidomos me përpjekjen e tij për ta kthyer këtë strukturë në një lloj poli trafiku influence mbi institucionet e pavarura dhe drejtësinë.
Thelbi i konfliktit është i qartë: a do të raportojnë institucionet e pavarura, përfshirë ato të drejtësisë, tek komisionet parlamentare përkatëse siç ndodh tradicionalisht, apo do të kalojnë nën filtrin politik të komisionit të Xhafajt?
Në pamje të parë debati duket teknik. Në fakt është thellësisht politik.
Dhe askush brenda mazhorancës nuk ka ndonjë iluzion romantik se kjo bëhet nga ndonjë dëshirë e Fatmir Xhafajt për të “bërë shtet”. Lufta reale nuk po zhvillohet për standarde parlamentare apo modernizim institucional. Lufta po zhvillohet për trafikun e influencës.
Sepse në Shqipëri, kontrolli formal mbi institucionet është vetëm gjysma e pushtetit. Gjysma tjetër është kontrolli mbi aksesin, filtrimin, komunikimin dhe ndikimin informal mbi to.
Kjo nuk është hera e parë që Fatmir Xhafaj tenton të zgjerojë rolin e komisionit të tij ndaj institucioneve të drejtësisë. Edhe në legjislaturën e kaluar pati tentativa që raportimet dhe mbikëqyrja e institucioneve të drejtësisë, përfshirë SPAK-un, të kanalizoheshin përmes komisionit të tij. Por rezistenca e institucioneve ishte e fortë. Pjesa dërrmuese refuzoi të hynte në një marrëdhënie politike varësie me një komision që perceptohej gjithnjë e më shumë si qendër influence dhe jo thjesht strukturë mbikëqyrjeje parlamentare.
Duket se pikërisht ky dështim ka prodhuar përpjekjen e re: institucionalizimin me rregullore të një roli që më parë nuk arriti ta imponojë politikisht.
Përplasja më e fortë, sipas diskutimeve të brendshme, po vjen nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili kundërshton idenë që komisioni i Xhafajt të kthehet në adresën ku raportojnë institucionet e pavarura. Sipas variantit që mbështet Manja, komisioni i nismave dhe mbikëqyrjes duhet të ndjekë zbatimin e rezolutave të miratuara nga Kuvendi, por jo të marrë përsipër raportimin direkt të institucioneve.
Në debatet e mbrëmshme në Këshillin Legjislativ u pranua hapur se komisioni nuk duhet të zëvendësojë komisionet përgjegjëse parlamentare dhe as të marrë kompetenca që tradicionalisht i përkasin Kuvendit si institucion kolegjial.
Dhe pikërisht këtu po shpërthen konflikti real.
Sepse beteja nuk është se kush do t’i “kontrollojë” institucionet e drejtësisë. Në Shqipëri pothuajse askush nuk beson seriozisht se ato janë krejtësisht jashtë ndikimit politik. Lufta është kush do të jetë poli dominues i influencës mbi to.
Në këtë kuptim, përplasja për rregulloren nuk është debat procedural. Është konflikt pushteti brenda vetë mazhorancës për kanalet e ndikimit politik mbi institucionet e pavarura.
Dhe paradoksi është se komisioni që u shit publikisht si instrument modernizimi parlamentar po shndërrohet gradualisht në bllokuesin kryesor të miratimit të vetë rregullores./vna







