Ambientalistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë mbërritur në zonën e hidrovorit të Akërnisë, ku po zhvillojnë një protestë kundër rrethimit me gardh të një pjese të territorit, që sipas tyre është zonë e mbrojtur dhe pronë publike.
Protestuesit kërkojnë transparencë nga institucionet përgjegjëse, ndërsa ngrenë shqetësimin se ende nuk ka informacion të qartë se kush po ndërton dhe çfarë projekti po zbatohet në këtë hapësirë.
Aktivistët, një pjesë e të cilëve kanë ardhur edhe nga Tirana, kanë hyrë në ambientet e kantierit ku po kryhen punimet dhe kanë kundërshtuar vijimin e tyre, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të ndërhyrjeve në zonë.
Sipas tyre, mungesa e informacionit dhe rrethimi i territorit ngre dyshime për mënyrën se si po menaxhohet një hapësirë që konsiderohet pasuri publike dhe me rëndësi mjedisore.
Ndërkohë, forca të policisë ndodhen në terren për të monitoruar situatën dhe për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve mes protestuesve dhe punonjësve të kantierit.







