Ballina Ekonomia KLSH: 148 milionë lekë të ardhura të munguara nga prona shtetërore

KLSH: 148 milionë lekë të ardhura të munguara nga prona shtetërore

42
0

Administrimi i pronës publike është shoqëruar me problematika të theksuara, sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka konstatuar devijime materiale nga kuadri ligjor dhe rregullator.

Sipas auditimit, mungojnë plane veprimi të strukturuara për proceset e privatizimit të shoqërive tregtare me kapital shtetëror, si në sektorët strategjikë, ashtu edhe në ata jostrategjikë. Po ashtu, nuk janë hartuar analiza apo raportime periodike mbi ecurinë e këtyre proceseve, ndërsa informacioni ekzistues rezulton i fragmentuar dhe jo i përditësuar, veçanërisht në lidhje me monitorimin e kontratave të përdorimit të pronës publike.

KLSH nxjerr në pah gjithashtu mangësi në ndjekjen e detyrimeve kontraktuale nga strukturat përgjegjëse, përfshirë mosaplikimin e penaliteteve ndaj qiramarrësve dhe mungesë kontrolli mbi realizimin e investimeve dhe nivelin e punësimit të parashikuar në kontrata. Në shoqëritë aksionere me kapital 100% shtetëror, raporti thekson vonesa në miratimin e pasqyrave financiare, ndërsa për vitin 2022 humbjet e 8 shoqërive arrijnë në rreth 2.4 miliardë lekë.

Probleme janë konstatuar edhe në proceset e likuidimit, ku për 9 shoqëri të shpallura në likuidim nuk është realizuar një monitorim efektiv, ndërkohë që administrimi i pasurive të paluajtshme kap vlerën mbi 6.8 miliardë lekë. Gjithashtu, detyrimet e prapambetura ndaj punonjësve, sigurimeve shoqërore dhe palëve të treta arrijnë në mbi 2.2 miliardë lekë, ndërsa dividendët e papaguar kapin vlerën mbi 4 miliardë lekë.

Në lidhje me privatizimin e pronës shtetërore, auditimi konstaton zgjatje të pajustifikuara të proceseve dhe mungesë transparence, pasi një pjesë e objekteve të miratuara për privatizim nuk janë publikuar për shitje. Probleme janë hasur edhe në administrimin e lejeve të ndërtimit, përfshirë mungesë dokumentacioni, vonesa në lidhjen e kontratave dhe mosaplikim të sistemit për rregullimin e situatës ligjore të objekteve.

Raporti ngre shqetësime edhe për zhvillimin dhe monitorimin e zonave teknologjike dhe të zhvillimit ekonomik, ku në disa raste procedurat e ndërtimit dhe prokurimit janë nisur përpara miratimit të kontratave me zhvilluesit.

KLSH vlerëson se nga mangësitë në administrimin e fondeve dhe pronës publike rezultojnë si të ardhura të munguara në buxhet rreth 148 milionë lekë, si pasojë e mosvendosjes së penaliteteve, mosaplikimit të kamatave për pagesa të vonuara dhe mangësive në proceset e vlerësimit dhe privatizimit të pronës shtetërore. /ekofin.al