Ballina Politika Opozita bashkoi votat për rezolutën mbi anëtarësimin në BE, Rama ironizon PD-në:...

Opozita bashkoi votat për rezolutën mbi anëtarësimin në BE, Rama ironizon PD-në: E kuptuan që procesi është i pandalshëm dhe bllokimi s’ekziston

51
0

Kryeministri Edi Rama, në episodin e radhës të podcastit “Flasim”, ka komentuar zhvillimet e fundit në Kuvend, ku rezoluta e lidhur me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian u votua me mbështetjen e shumicës dhe opozitës.

Rama e cilësoi këtë si një zhvillim pozitiv, duke theksuar se bashkimi i forcave politike për çështjen e integrimit europian është i mirëpritur dhe duhet të ndodhë më shpesh. Sipas kryeministrit, procesi i integrimit në BE është i pandalshëm dhe së shpejti pritet avancim i mëtejshëm në hapjen dhe mbylljen e kapitujve të negociatave, ndërsa shtoi me ironi se këtë tashmë e ka kuptuar dhe opozita.

Ai përfundoi duke u shprehur se çdo bashkim politik në këtë drejtim është një sinjal i mirë për ecurinë e vendit në rrugën drejt BE-së, duke e quajtur atë “varkën e Shqipërisë europiane”.

Shënimi i fundit është për diçka të mirëseardhur në Kuvendin e Shqipërisë, ku befasisht, por e përsëris pozitivisht, forcat opozitare të Kuvendit të Shqipërisë u bashkuan me shumicën qeverisëse për një rezolutë të lidhur me anëtarësimin në Bashkimin Europian. Më vjen mirë realisht që ndodhi diçka e tillë. Do të ishte mirë të ndodhte vazhdimisht kur flasim për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por edhe një herë e vetme, prapë se prapë, është një herë me vlerën e vet dhe më vjen mirë po ashtu që, me sa unë kuptoj, e kanë kuptuar që procesi është i pandalshëm, që bllokimi i shumëpërfolur nuk ekziston, që së shpejti do të vijë edhe lajmi i ri dhe i mirë, si të gjitha lajmet për hapjen e kapitujve, të kapërcimit në fazën tjetër të procesit dhe do të hapet edhe rruga për fillimin e mbylljes së kapitujve të negociatave. Kështu që bashkimi, sado i befasishëm dhe sado i ngutur në “varkën e Shqipërisë europiane”, ku ne jemi aty prej kohësh dhe ku vendin e kanë gjithmonë aty, është plotësisht i mirëseardhur”, tha ai.