Ballina Politika PD dhe PS arrijnë konsensusin për Rregulloren e Kuvendit

PD dhe PS arrijnë konsensusin për Rregulloren e Kuvendit

51
0

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë gjetur konsensus për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Burime nga Kuvendi bëjnë me dije se negociatat që nisën ditën e premte mes demokratit Ivi Kaso dhe socialistit Bledi Çomo janë mbyllur pasditen e së mërkurës dhe përfshijnë formulime kompromisi për të dy palët.

Në lidhje me propozimin e socialistëve që institucionet e pavarura të mos raportojnë më në seancë plenare, por vetëm në komisione,  është gjetur si formulë kompromisi që para parlamentit  të raportojnë vetëm ato institucione që e kanë detyrim  shprehimisht në Kushtetutë. Sipas këtij kompromisi drejtuesi i Spakut nuk do të raportojë më në seancë plenare por vetëm në komisionin e ligjeve dhe komisionin e mbikqyrjes institucionale. Njësoj si Spak janë një sërë institucionesh që do raportojnë vetëm në komisione.

Ndërsa në seancë plenare do të raportojnë vetëm Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm, Banka e Shqipërisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Avokati i Popullit. Në lidhje me procesin e negociatave për anëtarësimin ne BE, demokratët kanë pranuar propozimin e PS  që ligjet e nevojshme për  integrimin të kalojnë me procedurë të përshpejtuar vetëm kur ka një afat konkret nga Brukseli.

Socialistët janë tërhequr nga propozimi i tyre që fjala e deputetëve të shkurtohet në 5 minuta, duke e lënë kohën e fjalimeve 10 minuta sic është sot.

Socialistët kanë pranuar propozimin e demokratëve që sekretariati i etikës të ketë barazi anëtarësh mes mazhorancës dhe opozitës. Por duke qenë se kjo është struktura që merr vendime për përjashtimin e deputetëve, vota e sekretarit që është i PS, përcakton rezultatin që të mos bllokohet vendimarrja.

Është rënë dakord gjithashtu që PD e PS të kenë numër të barabartë këshilltarësh.

Socialistët kanë refuzuar propozimin e PD  që të ndahet Komisioni i Jashtëm nga Komisioni i Integrimit.

Në lidhje me kompetencat e komisionit për mbikqyrjen institucionale ku debati ishte më i fortë mes socialistëve është vendosur që institucionet e pavarura raportimet vjetore ti bëjnë tek komisioni përgjegjës edhe tek komisioni i drejtuar nga Fatmir Xhafaj do të raportojnë për zbatimin e rezolutës.

Nesër drafti konsensual kalon në Këshillin e Rregullores dhe votohet po nesër në parlament.