Qeveria ka miratuar këtë të mërkurë, më 20 maj, një sërë vendimesh për shpronësime në funksion të realizimit të projekteve infrastrukturore në disa bashki të vendit.
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u vendos shpronësimi, për interes publik, i pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga rikonstruksioni i rrugës “Arif Dardha” në Bashkinë Elbasan, zgjerimi i segmentit rrugor Elbasan–Përrenjas–Qafëthanë (faza II), si edhe sistemimi i sheshit dhe ndërtimi i tregut të fruta-perimeve në lagjen “Skënder Libohova” në Bashkinë Lushnjë.
Sipas vendimeve, këto projekte synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimin urban në zonat përkatëse.
Vendimet e Këshillit të Ministrave:
*Përcaktimin e mënyrës së organizimit dhe të funksionimit të tregut të produkteve të peshkimit e të akuakulturës dhe për miratimin e formës e të përmbajtjes së planeve të prodhimit e të marketingut. Organizatat e prodhuesve dhe organizatat ndërsektoriale mund të përfitojnë mbështetje financiare nga skema e masave mbështetëse tëministrisë.
*Përcaktimin e rregullave, të parimeve, të procedurës dhe të metodologjisë për llogaritjen e pagesave, që kryejnë institucionet publike përfituese ndaj shoqërisë “Albanian Digital Solution”, sh.a., për shërbimet në fushën e teknologjisë së informacionit e të komunikimit si dhe të implementimit të masave të sigurisë kibernetike, të ofruara në bazë të kontratave të shërbimit dhe/ose marrëveshjeve të nivelit të shërbimit.
*Miratimin e rregullave dhe procedurave të lidhjes në rrjetin e shpërndarjes për vetëprodhuesit e energjisë së rinovueshme dhe të skemës së kompensimit të tyre, bazuar në metodologjinë e faturimit neto. Ngarkohen Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH, sh.a.), Enti Rregullator i Energjisë dhe Furnizuesi i Shërbimit Universal, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
*Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në zonën kadastrale 2806, njësia administrative Sarandë, Bashkia Sarandë, Qarku Vlorë, nga shoqëria “PARK SOL ENERGY”, sh.p.k. .
*Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në zonën kadastrale 3268, fshati Savër, njësia administrative Lushnjë, Bashkia Lushnjë, Qarku Fier, nga shoqëria “3X ENERGY”.
*Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në zonat kadastrale 3572, 3584 dhe 3619, në njësinë administrative Tërpan, Bashkia Poliçan, Qarku Berat, nga shoqëria “X ONE”, sh.p.k. .
*Miratimin e listës së projekteve fituese të financuara për vitin 2026 nga fondi për digat. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
*Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Përmirësimi i infrastrukturës, kryesisht në zonat informale,“Rikonstruksion i gjendjes ekzistuese të rrugës “Arif Dardha””, në zonën kadastrale 8527”, Bashkia Elbasan.
*Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi i segmentit rrugor dalje Elbasan – Përrenjas – Qafëthanë (faza II)”.
*Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Sistemimi i sheshit dhe ndërtimi i tregut të fruta-perimeve në lagjen “Skënder Libohova”, rruga “Pavarësia”, Bashkia Lushnjë”.
*Caktimin e gjashtë anëtarëve në përbërje të Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, të përzgjedhur me konkurrim publik. Aida Goga; Majlinda Ziu; Rudina Osmanaj; Tatjana Pone; Blerina Lala dhe Refik Çela.
*Transferimin në pronësi të Bashkisë Tiranë të pasurive të paluajtshme shtetërore në zonatkadastrale 3866 dhe 2105, me vendndodhje në Kashar, Bashkia Tiranë, pjesë e listës së pasurive të shpallura “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik (TEDA) Tiranë”, sipas të dhënave të kartelave të pasurive dhe të hartave kadastrale.
*Transferimin në pronësi të Bashkisë Gjirokastër të pasurisë me nr.10/175, me vendndodhje në zonën kadastrale 8542, sipas formularit dhe planit të rilevimit për t’u përdorur si qendër multifunksionale kulturore dhe teknologjike.







