Ballina Ekonomia Ul e ngri, Bordi rikthen sërish në 202 lekë naftën pasi e...

Ul e ngri, Bordi rikthen sërish në 202 lekë naftën pasi e rriti dje

57
0

Pas rritjes së djeshme, Bordi i Transparencës ka ulur sërish këtë të martë çmimin e naftës në tregun vendas. Vetëm një ditë pasi gazoili u rrit në 205 lekë/litër, vendimi i ri i Bordit e zbret çmimin tavan në 202 lekë/litër, ose 3 lekë më pak.

Ndërkohë, çmimi i benzinës është përcaktuar në 188 lekë/litër. Çmimet e reja do të hyjnë në fuqi sot, më 20 maj, në orën 18:20 dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit.

Lëvizja e shpejtë e Bordit reflekton luhatjet e forta në tregjet ndërkombëtare të naftës, ku çmimet kanë qenë të paqëndrueshme gjatë ditëve të fundit për shkak të tensioneve globale dhe sinjaleve mbi furnizimin. Ulja e sotme vjen pas shqetësimeve për rritjen e kostove të transportit dhe ndikimin që karburantet kanë në çmimet e tjera në ekonomi.

Në sqarimin zyrtar, autoritetet theksojnë se çmimet aktuale mbeten nën kufijtë e përcaktuar nga Akti Normativ i 3 prillit 2026, që aktivizon uljen me 20% të akcizës vetëm nëse nafta kalon 220 lekë/litër dhe benzina 200 lekë/litër. Për këtë arsye, akciza do të vijojë të aplikohet në nivel të plotë, 100%.