Një lajm i rëndë ka tronditur Korçën mesditën e kësaj të enjteje, pasi biznesmeni i njohur korçar Geni Braholli është ndarë papritur nga jeta si pasojë e një arresti kardiak.
Lajmi i trishtë u përhap shpejt në qytet përmes reagimeve prekëse të familjarëve, miqve dhe njerëzve që e njihnin nga afër, të cilët shprehën dhimbjen e madhe për humbjen e tij të parakohshme. Sipas informacioneve paraprake, Braholli dyshohet se ka pësuar arrest kardiak gjatë gjumit, çka i ka shkaktuar ndalimin e menjëhershëm të zemrës. Ai nuk është zgjuar më, duke lënë pas trishtim të thellë te familja dhe të afërmit.
Geni Braholli ishte pronari i furrës së bukës “Cegora”, një biznes mjaft i njohur dhe i vlerësuar në Korçë. Për shumë qytetarë ai njihej si një njeri punëtor, i qetë dhe i respektuar në komunitet.
Mesazhet e ngushëllimit kanë qenë të shumta gjatë orëve të fundit, ndërsa Korça sot është zgjuar më e trishtë nga humbja e një prej njerëzve të saj të njohur në fushën e biznesit.







