Juristi, Ylli Manjani i ftuar në një studio televizive ka folur lidhur me kalimin e draftit të qëndrimit të përbashkët të përkohshëm të Bashkimit Europian në grupin e punës së COELA-s në Bruksel. Manjani gjatë fjalës së tij e cilësoi IBAR-in si një vulë.
Për ta shpjeguar më thjeshtë, ai e krahasoi këtë situatë me kalimin në doganë. Sipas tij pas deklaratës doganore dhe verifikimit fizik merret vula dhe ecet përpara për fazën tjetër. Ai tha se tani është periudha ku duhet të plotësohen 101 kushtet e kërkuara nga BE.
“Do lindi ditë e re nesër do ham, do pimë, do bëjmë qejf, do ta shajmë prap SPAK-un. Edhe gjyqtarët do t’ shajmë prapë. Pavarësisht atyre fjalëve të IBAR, që nuk e di sa autentike janë, po e zëmë se janë autentike. Po the do miratohet, nuk është dokument. E tejkalojmë këtë se s’është debat. Unë insistoj te kjo gjë.
Kjo që quhet IBAR që është një instrument i ndërmjetëm, ta bëj pak më thjeshtë është sikur ke bërë deklaratën doganore para doganierit dhe këtë deklaratën e merr doganieri, e sheh, bën verifikimin fizik dhe vulën. IBAR-i është vula. Pra domethënë ti me këtë vulë kalon doganën.
Me këtë vulë kaluam doganën e fazës parë, që është mbyllja e hapjes. Tashi fillon hapja e mbylljes, është lojë fjalësh po kështu është, për hir të së vërtetës.
Që do të thotë ne do duhet të hyjmë në një cikël të ri ushtrimi zyrtar ku kemi kushte për të plotësuar dhe janë ato 101 kushtet e famshme që janë paraprakisht të dhëna.
Dhe do duhet të ecim nën frymën e këtyre gjetjeve të këtij raportit të të IBAR. Kjo është thelbi gjësë”, tha ai ndër të tjera.







