Këshilltari për sigurinë në Partia Demokratike dhe ish-deputeti Xhemal Gjunkshi ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me një kallëzim penal të depozituar një vit më parë ndaj Kryetarit të Bashkisë Dibër, Rahim Spahiu, Drejtorit të Shërbimeve Bedri Kamberi dhe zyrtarëve të tjerë lokalë.
Sipas Gjunkshit, kallëzimi penal lidhej me pretendime për përdorim të burimeve shtetërore dhe ndikim institucional në funksion të zgjedhjeve. Ai shprehet se në procesverbal janë konstatuar mjete të Bashkisë Dibër në terren, punime të kryera gjatë periudhës zgjedhore, mungesë dokumentacioni ligjor, si dhe përdorim i administratës publike në interes politik.
Në reagimin e tij, Gjunkshi thekson se edhe pas një viti nga depozitimi i kallëzimit, personat e përfshirë vazhdojnë të mos përballen me drejtësinë, ndërsa SPAK, sipas tij, nuk ka dhënë asnjë informacion mbi fatin e hetimeve.
“Pyetja sot është: pse nuk ka përgjegjësi? Pse SPAK nuk godet keqpërdorimin e pushtetit vendor dhe të burimeve publike në zgjedhje? Kush po i mbron Rahim Spahiun, Bedri Kamberin dhe zyrtarët e përfshirë? Pse drejtësia vonon kur bëhet fjalë për pushtetin?”, shprehet Gjunkshi në postimin e tij.
Postimi i plotë:
Një vit më parë depozitova kallëzim penal ndaj Kryetarit të Bashkisë Dibër, Rahim Spahiu, Drejtorit të Shërbimeve Bedri Kamberi dhe zyrtarëve të tjerë për përdorimin e burimeve shtetërore dhe ndikimit institucional në funksion të zgjedhjeve.
Në procesverbal janë konstatuar mjete të Bashkisë Dibër në terren, punime të kryera gjatë periudhës zgjedhore, mungesë dokumentacioni ligjor dhe përdorim i administratës publike në interes politik.
Edhe pas një viti, Rahim Spahiu, Bedri Kamberi dhe të përfshirët në këtë aferë vazhdojnë të lëvizin të pashqetësuar, ndërsa SPAK hesht dhe nuk jep asnjë përgjigje për fatin e hetimeve.
Pyetja sot është: pse nuk ka përgjegjësi?
Pse SPAK nuk godet keqpërdorimin e pushtetit vendor dhe të burimeve publike në zgjedhje?
Kush po i mbron Rahim Spahiun, Bedri Kamberin dhe zyrtarët e përfshirë?
Pse drejtësia vonon kur bëhet fjalë për pushtetin?







