Ballina Lifestyle Shuhet në moshën 59-vjeçare legjenda e hip-hopit…

Shuhet në moshën 59-vjeçare legjenda e hip-hopit…

68
0

Bota e muzikës është në zi pas ndarjes nga jeta të reperit legjendar Rob Base, një prej figurave më ikonike të hip-hopit amerikan. Artisti, emri i vërtetë i të cilit ishte Robert Ginyard, ka ndërruar jetë në moshën 59-vjeçare pas një beteje të heshtur me kancerin.

Lajmi u konfirmua nga familjarët përmes një deklarate emocionale në rrjetet sociale, ku e përshkruan artistin si një njeri që “me muzikën, energjinë dhe trashëgiminë e tij ndikoi një brez të tërë dhe solli gëzim për miliona njerëz në botë”.

Rob Base u bë i famshëm në fundin e viteve ’80 si pjesë e dyshes “Rob Base & DJ E-Z Rock”, të cilët pushtuan skenën muzikore me hitin legjendar “It Takes Two”. Kënga u kthye në një himn global të hip-hopit dhe dance music, duke mbetur edhe sot një nga këngët më të famshme të asaj periudhe.

Muzika e tij është përdorur dhe sampluar ndër vite nga artistë të njohur si Snoop Dogg dhe Black Eyed Peas, ndërsa vetë Rob Base vazhdoi të performonte deri në vitet e fundit në turne nostalgjikë si “I Love the ’90s Tour”.

Në një intervistë të vitit 2023, ai kishte treguar se kënga “It Takes Two” ishte krijuar për vetëm një ditë në studio dhe fillimisht mendonin se do të mbetej thjesht një hit lokal në Harlem. “Kurrë nuk e menduam se do të bëhej e njohur në gjithë botën”, ishte shprehur ai.

Partneri i tij muzikor DJ E-Z Rock kishte ndërruar jetë që në vitin 2014 për shkak të komplikacioneve nga diabeti. Tashmë, me largimin e Rob Base, mbyllet një tjetër kapitull i artë i hip-hopit klasik amerikan.