Ballina Aktualitet Milionat e Bashkisë së Bulqizës rrjedhin drejt tenderit korruptiv të ujësjellësit

Milionat e Bashkisë së Bulqizës rrjedhin drejt tenderit korruptiv të ujësjellësit

66
0

Një rrjet i ri kanalizimesh për ujërat e zeza shkarkon gjithashtu direkt në zallin e lumit të Bulqizës, duke anashkaluar ndërtimin e një impianti të nevojshëm trajtimi.

Ky peizazh mjedisor dhe urban është sot trashëgimia e dukshme e një tenderi korruptiv prej 387.8 milionë lekësh [rreth 3.8 milionë euro] i Bashkisë së Bulqizës, i nisur në vitin 2021 me premtimin për të ndërtuar një rrjet ujësjellësi për lagjen Allmete dhe rrjetin e kanalizimeve për Lagjen e Vjetër.

Tenderi i fituar nga bashkimi i operatorëve “EGLAND & BE-IS” përbën dosjen më të bujshme të korrupsionit për Bashkinë e Bulqizës, për të cilën dhjetë persona, përfshirë edhe ish-kryebashkiakun Lefter Alla u dënuan në dhjetor të vitit 2023 për veprat penale të korrupsionit, shkeljes së barazisë në tendera dhe shpërdorimit të detyrës.

Gjykata e Posaçme urdhëroi gjithashtu asgjësimin e situacioneve të punimeve, ditarin e objektit dhe një sërë dokumentesh të tjera – pasi vlerësoi se ishin dokumente të falsifikuara të një projekti të kryer në shkelje të ligjit “në të gjithë segmentet e tij”.

Por Bashkia e Bulqizës vazhdoi të paguante miliona lekë në favor të kompanive private, në shkelje të vendimit të gjykatës dhe ligjit të “Prokurimit Publik”.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se Bashkia e Bulqizës i pagoi kompanisë “EGLAND” 103 milionë lekë në periudhën nëntor 2025-janar 2026, duke shlyer në total 272 milionë lekë ose rreth 70% të fondit të parashikuar për tenderin.

Pagesat u bazuan në situacione të përpiluara nga e njëjta kompani mbikëqyrëse, përfaqësuesit e së cilës janë dënuar tashmë për falsifikim.

Kryetarja e bashkisë së Bulqizës, Festime Mjeshtri dhe kompania që mbikëqyr punimet, “Arabel Studio” nuk iu përgjigjën kërkesës së BIRN për koment mbi pagesat dhe problemet e konstatuara.

Në një përgjigje me shkrim, Agjencia e Prokurimit Publik tha se përgjegjësia për zgjidhjen e kontratës i takonte bashkisë dhe se APP nuk ishte njohur me një vendim gjykate në këtë rast. Sipas drejtueses së APP, Reida Kashta, në rast të një vendimi gjykate të formës së prerë “që ka dënuar administratorin dhe/ose operatorin ekonomik si person juridik po për këtë procedurë, atëherë autoriteti kontraktor është në kushtet e nenit 128/b të ligjit të prokurimit për zgjidhjen e kontratës”.

Kompania “Egland” mohoi parregullsi në lidhje me punimet dhe volumin e tyre dhe pohoi se pagesat bazoheshin në kontratë.

“Kontrata nuk është konsideruar e ndërprerë nga palët gjatë kësaj periudhe,” tha kompania në një përgjigje me shkrim.

Manipulimi i tenderit

Sipas vendimit të 27 dhjetorit 2023 të Gjykatës së Posaçme, tenderi i ujësjellësit dhe rrjetit të kanalizimeve i Bashkisë së Bulqizës u manipulua në disa nivele me përfshirjen e ish-kryetarit të Bashkisë, Lefter Alla, gjashtë zyrtarëve të tjerë lokalë si dhe tre përfaqësuesve të kompanive private.

Në një çështje të dytë të gjykuar në Dibër, dy persona të përfshirë në mbikëqyrjen e punimeve u shpallën gjithashtu fajtorë.

Sipas vendimit, Alla në bashkëpunim me vartësit e tij paracaktoi si fitues bashkimin e operatorëve “EGLAND & BE-IS”, por punën në terren nuk e bëri asnjëra prej tyre. Egland është një kompani e vogël ndërtimi në pronësi të Rasim Dacit, ndërsa kompania BE-IS në pronësi të Hamz Islamajt.

Menjëherë pas fitimit të tenderit, kompania “BE-IS” – edhe pse aksionere në shumicë – ia kaloi të gjitha punimet kompanisë “Egland”.  Në mungesë të një kontrate, kompania “Egland” ia kaloi “de facto” punimet kompanisë 2AF Albania Group në pronësi të Aqif Koneshës – një person i afërt me ish-kreun e Bashkisë, Lefter Alla.

Hetimi gjeti gjithashtu se “2AF ALBANIA GROUP” nuk kishte as licensat e duhura dhe as punonjës të specializuar.

I gjithë procesi i prokurimit ishte ngritur mbi një procedurë të llogaritur për këtë rezultat. Madje për t’u siguruar që tenderin do ta fitonte kompania “EGLAND”, kriteret e tenderit sipas gjykatës u manipuluan haptazi.

Kriteri standard ligjor që kërkonte nga kompania fituese të kishte përvojë në punime të ngjashme në masën 50% të vlerës, u ul në mënyrë të pajustifikuar në 33%. Kjo lëvizje i shkoi përshtat vetëm kompanisë fituese.

Për më tepër, dosja hetimore provoi se punimet e ngjashme që operatori ekonomik paraqiti si përvojë nga bashki të tjera, në fakt nuk ishin as të përfunduara dhe as të marra në dorëzim.

Gjykata ekspozoi një zinxhir zyrtarësh bashkiakë që kishin mbyllur sytë përballë dokumenteve fiktive, duke e paracaktuar fituesin që para se të hapeshin zarfet.

“Kjo procedurë prokurimi është iniciuar dhe zhvilluar në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore nga AK Bashkia Bulqizë, konkretisht nga të pandehurit me veprime aktive që konsistojnë në ngritjen e një mekanizmi të posaçëm, për nxjerrjen fituese të një firme në lidhje me procedurat e prokurimit të zhvilluara në Bashkinë Bulqizë,” thuhet në vendimin e Gjykatës.

Ish-kryebashkiaku Lefter Alla u shpall fajtor për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera” dhe u dënua me 1 vit e 9 muaj burgim. Fajtorë u shpallën edhe nënkryetarja e Bashkisë, Enkeleda Lleshi dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Administratorët e kompanive të përfshira, Rasim Daci, Dali Gazidedja dhe Aqif Konesha u dënuan për falsifikim dokumentesh. Në një proces paralel në Dibër, për falsifikim u dënuan edhe Ana Nishku e Kastriot Ibrahimaj nga kompania “ARABEL-STUDIO” – përgjegjëse për procesin e mbikëqyrjes.

Pagesat pas dënimit

Legjislacioni për prokurimin publik në Shqipëri i detyron institucionet që të zgjidhin kontratat nëse këto të fundit janë fituar në shkelje të rënda të ligjit. Sipas nenit 128 të ligjit, një vendim gjyqësor i formës së prerë hyn në kategorinë e zgjidhjes së kontratës.

Sipas Agjencisë së Prokurimit Publik, detyrimi në këtë rast binte mbi autoritetin kontraktor.

“Neni 128 i LPP parashikon detyrimet e autoritetit kontraktor për zgjidhjen e kontratës në rast se ndodhet në një nga kushtet e kësaj dispozite ligjore. Në bazë të LPP, APP nuk ka kompetenca për të ndërhyrë në zgjidhjen e kontratës,” deklaroi Agjencia.

Por ndryshe nga sa shkruhet në ligj, Bashkia e Bulqizës jo vetëm që nuk ka kryer asnjë veprim për zgjidhjen e kontratës, por ka vazhduar pagesat për kompaninë Egland sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit provojnë se, shumë kohë pasi vendimi i Gjykatës së Posaçme mori formë të prerë, pagesat në llogaritë e kompanisë kanë rrjedhur pa pengesa.

Më 25 nëntor 2025, Bashkia Bulqizë ka autorizuar kalimin e 47,500,000 lekëve (rreth 470 mijë euro) drejt “EGLAND” me përshkrimin: Likuidim situacion pjesor nr.4. Një pagesë e dytë me të njëjtën shumë u krye në dhjetor 2025, ndërkohë që më 12 janar 2026 u pagua një faturë me vlerë 8,146,915 lekë.

Pagesat janë bazuar në situacionet e paraqitura nga e njëjta kompani mbikëqyrëse, përfaqësuesit e së cilës u dënuan për falsifikim.

Kompania “Egland” këmbënguli se situacionet ishin reale.

“Situacionet e punimeve janë hartuar mbi bazën e volumeve reale të realizuara në terren dhe jo për punime të pakryera,” thuhet në përgjigjen që ata i dhanë BIRN.

Ky nuk është tenderi i vetëm me probleme që kjo kompani ka në Bulqizë. Ajo është ndërtuesja e një tjetër ujësjellësi në Gjoricë, i cili siç denoncuan banorët në një dëgjesë publike me bashkinë, vijon të mos sjellë ujë dhe ka një mori problemesh.

Punime me defekte

Problemet me cilësinë e punimeve nuk shihen veçse me sy; ato kanë qenë të qarta për zyrtarët e Bashkisë së Bulqizës që prej vitit 2022.

Sipas dosjes gjyqësore, kryebashkiaku i atëhershëm i Bulqizës, Lefter Alla, i dërgonte mesazhe i revoltuar një vartësit të tij në nëntor 2022 për problemet e ujësjellësit të ri.

“Viçishtin e kam pa ujë… duhet mbuluar tuba nga Qifi. Është prerë në Lladomericë se janë tubat shtruar në sipërfaqe… Pa pikë përgjegjësie ky mor. Se di,” ankohej Alla.

“Qifi” në këto mesazhe prezantohet si Aqif Konesha, biznesmeni që sipas hetimeve ishte i lidhur me kryebashkiakun dhe që de facto po kryente punimet e ujësjellësit, pavarësisht se nuk ishte ai fituesi i tenderit. Tubat e ujësjellësit të lëna mbi tokë ishin dëshmia fizike se puna po bëhej shkel e shko.

Provat e cilësisë së punimeve janë ende në terren. Tubacionet vijojnë të jenë të ekspozuara dhe në vend të tubave plastikë me rezistencë të lartë, një një pjesë të mirë janë përdorur tuba të lirë betonarmeje.

Për më tepër, banorët e lagjeve të prekura janë ankuar herë pas here në Këshillin Bashkiak për punime të parealizuara apo për problemet me ujësjellësin dhe kanalizimet e ujërave të zeza.

Ndërsa pohon se projekti nuk është marrë ende në dorëzim, Bashkia mohon problemet teknike.

Në përgjigje të një kërkese për informacion, Bashkia Bulqizë deklaroi se kishte bërë verifikime me sy të situatës.

“Bashkia Bulqizë nëpërmjet specialistëve të fushës, ka bërë kontrolle dhe evidentime në terren për objektin në fjalë… mirëpo këto verifikime janë bërë vizualisht dhe nuk është mbajtur ndonjë dokumentacion për këtë pjesë,” tha Bashkia për BIRN.

Bashkia deklaroi gjithashtu se nuk ka konstatuar devijime nga projekti dhe se mbikëqyrësi nuk ka raportuar asgjë të tillë.

Ndërkohë, kompania Egland pretendon se projekti nuk ka përfunduar vetëm për 50 metrat e fundit, për shkak të një konflikti pronësie.

“Aktualisht, objekti nuk është marrë ende përfundimisht në dorëzim dhe mbeten procedura administrative e teknike për t’u përmbyllur,” deklaroi Egland në përgjigjen me shkrim për BIRN./reporter.al