Ballina Lifestyle Aktori Tom Hardy rrëfen jetën, nga varësia dhe problemet me ligjin te...

Aktori Tom Hardy rrëfen jetën, nga varësia dhe problemet me ligjin te tensionet në serialin “Mobland”

50
0

Tom Hardy konsiderohet një nga aktorët më të suksesshëm të brezit të tij, me role të njohura në Inception dhe The Revenant. Por pas suksesit në Hollywood, fshihet një histori e vështirë me varësinë, problemet me ligjin dhe sfidat personale.

Aktori britanik, sot 48 vjeç, ka pranuar se që në adoleshencë kishte sjellje problematike. Ai u përjashtua nga një shkollë private në Surrey për vjedhje dhe që në moshën 16-vjeçare kishte probleme me policinë.

Sipas rrëfimeve të tij, kontaktin me substancat narkotike e nisi shumë herët. Fillimisht konsumonte alkool, ndërsa më pas u përfshi edhe me drogë të fortë, përfshirë crack-un, duke arritur në një periudhë vetëshkatërrimi.

Momenti më i errët për Hardy erdhi në vitin 2003, kur u rrëzua në Londër pas përdorimit të crack-ut. Pas këtij episodi, me mbështetjen e familjes, ai hyri në rehabilitim dhe nisi terapi psikologjike.

Që prej asaj kohe, aktori ka qëndruar larg drogës dhe alkoolit, duke rindërtuar jetën dhe karrierën e tij. Aktrimi, sipas tij, u kthye në një formë disipline dhe rilindjeje personale.

Karriera e tij mori hov gradualisht, duke fituar çmime të rëndësishme dhe nominime prestigjioze, përfshirë edhe Oscar.

Megjithatë, emri i tij është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes për shkak të raportimeve mbi tensione gjatë xhirimeve të serialit MobLand.

Sipas mediave britanike, Hardy mund të mos rikthehet në një sezon të tretë të serialit, pas mosmarrëveshjeve me producentët dhe pjesëtarë të stafit.

Raportimet flasin për përplasje me producentët dhe pakënaqësi për sjelljen e aktorit në sheshxhirim. Burime pranë produksionit pretendojnë se Hardy vonohej në xhirime, kërkonte ndryshime në dialogë dhe ndërhynte shpesh në skenar.

Gjithashtu thuhet se aktori nuk ishte i kënaqur me faktin që seriali po i kushtonte më shumë vëmendje personazheve të interpretuar nga Helen Mirren dhe Pierce Brosnan.

Mediat britanike raportojnë se edhe Mirren ishte irrituar nga sjellja e kolegut të saj në prapaskenë.

Nuk është hera e parë që Tom Hardy përfshihet në tensione gjatë xhirimeve. Edhe bashkëpunimi i tij me Charlize Theron në filmin Mad Max: Fury Road ishte shoqëruar me raportime për konflikte dhe debate në sheshxhirim.

Ndërkohë, vetë aktori ka pranuar se vitet e fundit ka pasur probleme fizike për shkak të roleve të lodhshme dhe skenave intensive aksion. Ai ka folur për ndërhyrje në gjunjë, hernie diskale dhe probleme me nervin shiatik, ndërsa më herët kishte lënë të kuptohej se po mendonte të bënte një pauzë nga aktrimi për t’u rikuperuar.