Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar mesditën e kësaj të mërkure në bypass-in e Fierit, pranë fshatit Mbrostar Ura.
Sipas informacioneve paraprake, dy automjete që lëviznin në të njëjtin kah janë përplasur me njëra-tjetrën, duke lënë të plagosur katër persona.
Mes të lënduarve ndodhen edhe dy turistë të huaj, të cilët janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit për ndihmë mjekësore.
Burime spitalore bëjnë me dije se të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa po punohet edhe për normalizimin e qarkullimit në këtë aks rrugor.







