Ballina Sport Como i bën ofertë Lewandowskit

Como i bën ofertë Lewandowskit

52
0

Në moshën 37-vjeçare, Robert Lewandowski vazhdon të mbetet një nga emrat më interesantë për repartin e sulmit dhe e ardhmja e tij po diskutohet gjithnjë e më shumë në merkato.

Sulmuesi polak nuk do të rinovojë me Barcelonën, ndërsa nga Italia vijnë lajme surprizuese për destinacionin e tij të ardhshëm.

Sipas asaj që raporton “La Gazzetta dello Sport”, klubi i Comos i ka paraqitur Lewandowskit një ofertë të rëndësishme financiare, që kap shifrën e 10 milionë eurove në sezon.

Projekti sportiv i klubit italian duket ambicioz: Como synon të ndërtojë një skuadër konkurruese në arenën europiane dhe i garanton sulmuesit polak një rol absolut protagonist, si titullar i padiskutueshëm. Megjithatë, sipas medias italiane, ende nuk ka ardhur një përgjigje përfundimtare nga Levandovski.

Edhe pse në një moshë ku shumë sulmues zgjedhin të largohen nga nivelet më të larta, Levandovski vazhdon të tregojë se instinkti i golit mbetet i paprekur. Vetëm sezonin e fundit me Barcelonën ai realizoi 19 gola në të gjitha kompeticionet, duke qenë sërish lideri ofensiv i katalanasve.

Karriera e tij flet vetë. Levandovski ka shënuar më shumë se 700 gola në nivel klubesh dhe kombëtareje, ndërsa në Ligën e Kampioneve numëron mbi 100 gola, duke u renditur mes golashënuesve më të mirë në historinë e kompeticionit.

Ai ka fituar pothuajse gjithçka në futbollin europian: Ligën e Kampioneve me Bajernin, kampionate në Gjermani dhe Spanjë, si edhe një sërë çmimesh individuale.

Për Comon, afrimi i një emri si Levandovski do të ishte jo vetëm një goditje sportive, por edhe një deklaratë e fortë ambicieje për projektin e ri. Tashmë mbetet për t’u parë nëse bomberi polak do të zgjedhë një sfidë të re në Serinë A apo do të kërkojë një aventurë tjetër për vitet e fundit të karrierës së tij.