Gana ka mirëpritur kërkimfaljen e Papës Leone XIV për rolin historik të Kishës Katolike në skllavëri, duke e cilësuar atë si një “akt guximi moral” dhe një hap të rëndësishëm drejt drejtësisë dhe pajtimit, raportoi BBC.
Në dokumentin e tij të parë madhor të pontifikatit, Papa Leone pranoi se autoritetet kishtare kishin legjitimuar, forma të nënshtrimit dhe skllavërimit gjatë shekujve, ndërsa kërkoi falje në emër të Kishës për vuajtjet dhe poshtërimet e shkaktuara ndaj miliona afrikanëve.
Qeveria e Ganës, deklaroi se njohja e kësaj historie të dhimbshme, përbën një hap të rëndësishëm drejt shërimit, pajtimit dhe përgjegjësisë morale globale.
Gana, e cila ishte një nga qendrat kryesore të tregtisë transatlantike të skllevërve, ka qenë ndër vendet që kërkojnë prej vitesh dëmshpërblime dhe kërkimfalje nga shtetet perëndimore, për skllavërinë dhe kolonializmin.
Ndërkohë, organizata “Vëzhguesi i të Drejtave të Njeriut” – (Human Rights Watch) deklaroi se kërkimfalja e Papës Leone, është një hap i rëndësishëm, ndërsa theksoi se vetëm faljet nuk mjaftojnë dhe se nevojiten masa konkrete për drejtësi dhe kompensim historik.







