Këshilli i Ministrave ka miratuar disa vendime dhe projektligje në disa fusha të ndryshme, nisur nga energjia dhe zhvillimi ekonomik, administrata publike dhe mbështetja për shoqërinë civile.
Ndër vendimet është dhe miratimi i ndërtimit të një centrali fotovoltaik në Fier, financimi i projekteve për menaxhimin e fatkeqësive natyrore për vitin 2026, si dhe shpallja e disa zonave në Gjirokastër dhe Fier si zona me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore.
Qeveria miratoi gjithashtu Kodin e Etikës së Vullnetarit, ndryshime në strukturën e pagave në administratën publike dhe njësimin e gradave ushtarake me funksionet organike në Forcat e Armatosura.
Agjencia për Media dhe Informim ju bën me dije vendimet e miratuara në mbledhjen e sotme të qeverisë, datë 28.05.2026:
Këshilli i Ministrave vendosi:
-Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse në fshatin Povelçë, njësia administrative Dërmenas, Bashkia Fier, nga shoqëria “FOS SOLAR”, sh.p.k
-Miratimin e listës së projekteve fituese të financuara për vitin 2026 nga fondi për parandalimin dhe menaxhimin e fatkeqësive natyrore, si dhe të autoritetit kontraktor për zbatimin e projekteve.
-Miratimin, në parim, të kuadrit të bashkëpunimit të Kombeve të Bashkuara për Shqipërinë 2027-2031, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
-Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” të disa zonave në territoret e Bashkisë Gjirokastër dhe Fier.
-Miratimin e Kodit të Etikës së Vullnetarit.
-Një shtesë në vendimin Nr.325, datë 31.05.2023 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e strukturës së pagave, niveleve të pagave dhe shtesave të tjera mbi pagë të zëvendësministrit, funksionarëve të kabineteve, prefektit, nënprefektit, nëpunësve civilë dhe nëpunësve në disa institucione të Administratës Publike”, të ndryshuar.
-Njësimin e gradave ushtarake me funksionet organike në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
-Për dëftesat tregtare mbi produketet bujqësore
-Miratimin e disa ndryshime dhe shtesa në ligjin NR.10093, Datë 9.3.2009, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për mbështjen e Shoqërisë Civile”







