Në Shijak kryetari i bashkisë, Elton Arbana së bashku me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla takuan fermerë të zonës. Në fokus të diskutimeve ishte mbështetja konkrete për sektorin bujqësor dhe zhvillimin rural, si dhe nxitja e formave të reja të bashkëpunimit mes fermerëve.
Në bashkëpunim me qeverinë, Bashkia Shijak ka nisur hapat konkretë për krijimin e Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB), një model që synon të forcojë fermerët dhe të rrisë kapacitetet prodhuese dhe tregtare.
Kjo nismë mbështetet në dy prioritete kryesore të pushtetit vendor. Së pari, zbatimi i Paketës së Maleve, me mbështetjen e Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë, si një instrument konkret për zhvillimin rural. Kjo paketë ofron lehtësi për investitorët dhe fermerët, përfshirë përdorimin e tokës dhe përjashtime nga disa taksa deri në 10 vite, duke nxitur investimet në agroturizëm, bujqësi dhe ekonomi lokale. Së dyti, po promovohet bashkëpunimi bujqësor përmes krijimit të SHBB-ve.
Aktualisht, në Bashkinë Shijak janë përfshirë 84 fermerë nga zona të ndryshme, të organizuar sipas profileve kryesore si kultivimi i ullirit dhe prodhimi i vajit, blegtoria dhe përpunimi i produkteve blegtorale, si dhe prodhimi i perimeve, drithërave dhe vreshtarisë.
Interesi më i lartë vihet re nga prodhuesit e vajit të ullirit në zonat Gjepalaj, Xhafzotaj dhe Maminas, të cilët po shohin mundësinë e krijimit të një SHBB-je të dedikuar për prodhim, përpunim dhe tregtim.
Përmes këtyre strukturave, fermerët përfitojnë ulje të kostove përmes blerjeve kolektive, rritje të cilësisë dhe certifikimit të produkteve, akses më të gjerë në tregje si dhe mundësi financimi nga programet kombëtare.
Bashkia Shijak thekson se do të vijojë të jetë pranë fermerëve me një rol aktiv koordinues dhe mbështetës, me synim zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë në zonë.







