Ballina Kronika Flakët djegin sipërfaqe me pisha tek Rana e Hedhun

Flakët djegin sipërfaqe me pisha tek Rana e Hedhun

68
0

Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë rreth orës 13:00 në zonën e Ranës së Hedhun, duke përfshirë një sipërfaqe me pisha dhe bimësi të dendur në rrugën Riviera në Malin e Rrencit.

Flakët u përhapën me shpejtësi për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta, duke krijuar shqetësim në zonën turistike dhe pranë strukturave akomoduese.

Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë menjëherë në terren, ndërsa në operacion janë angazhuar mjete dhe efektivë nga disa bashki të vendit. Në ndihmë të Bashkisë Lezhë kanë mbërritur mjete zjarrfikëse nga Tirana, Kamza, Vau i Dejës dhe Mirdita, si dhe autobotë privatë, për të bërë të mundur izolimin e flakëve dhe shmangien e përhapjes së tyre.

Nënkryetari i Bashkisë Lezhë, Fatjon Zefi, deklaroi se situata tashmë është vënë pothuajse plotësisht nën kontroll.

Sipas tij, aktualisht po vijon monitorimi i zonës nëpërmjet ndërhyrjeve me çanta shpine në vatrat e vogla aktive, pasi era ka nisur sërish të fryjë dhe ekziston rreziku i riaktivizimit të flakëve në disa pika të terrenit.

Fatmirësisht, deri në këto momente nuk raportohet për dëmtime të pronave, strukturave akomoduese apo hoteleve në zonë. Autoritetet bëjnë me dije se situata po monitorohet në vazhdimësi, ndërsa në terren ndodhen edhe Policia e Shtetit, Prefekti dhe IKMT-ja për verifikimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të zjarrit, të cilat ende nuk dihen