Ballina Aktualitet Fatura fiktive dhe abuzime me barnat e rimbursueshme, 327.8 milionë lekë gjobë...

Fatura fiktive dhe abuzime me barnat e rimbursueshme, 327.8 milionë lekë gjobë ndaj depove farmaceutike në 2025

59
0

Kontrollet ndaj farmacive dhe depove farmaceutike shënuan rritje gjatë vitit 2025, ndërsa Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor raportoi më shumë penalitete, gjoba si edhe raste kallëzimesh penale për shkelje të konstatuara në sistemin e barnave të rimbursueshme.

Sipas raportit të FSDKSH, gjatë periudhës janar-dhjetor 2025 janë kontrolluar 123 farmaci dhe agjenci farmaceutike në 13 rajone të vendit. Këto subjekte përfaqësonin 54.9% të shpenzimeve të rimbursimit të barnave në Fond. Nga kontrollet, 95 ishin kontrolle të plota dhe 28 tematike. Në total u vendosën masa për shpërblim dëmi në vlerën 1,336,522 lekë për 95 subjekte farmaceutike, ndërsa gjobat arritën në 99,400 lekë për 5 subjekte.

Krahasuar me vitin 2024, numri i subjekteve të kontrolluara ka rënë nga 184 në 123, ndërsa vlera e dëmit ekonomik ka zbritur nga rreth 1.99 milionë lekë në 1.33 milionë lekë. Megjithatë, gjobat u rritën, nga 22 mijë lekë në vitin 2024 në 99,400 lekë gjatë vitit 2025.

Tirana rezulton rajoni me numrin më të madh të farmacive të kontrolluara. Në kryeqytet u kontrolluan 26 subjekte nga 272 farmaci dhe agjenci farmaceutike aktive, ndërsa dëmi ekonomik i konstatuar arriti në 483,480 lekë, më i larti në vend. Tirana ishte gjithashtu rajoni me gjobën më të lartë të vendosur, në vlerën 35,400 lekë.

Pas Tiranës, dëmet më të mëdha ekonomike rezultuan në Elbasan me 186,502 lekë dhe në Berat me 160,286 lekë. Ndërkohë, Kamza-Vora, Dibra dhe Kukësi rezultojnë ndër rajonet me përqindjen më të lartë të subjekteve të kontrolluara në raport me numrin total të farmacive aktive.

Depot farmaceutike në sitë

Gjatë vitit 2025 u kontrolluan 41 subjekte, nga 27 që ishin kontrolluar një vit më parë. Kontrollet përfshinë 11 farmaci spitalore për barna të shtrenjta, 27 depo me inventar dhe 3 depo me kontroll tematik.

Sipas raportit, gjatë kontrolleve u konstatuan diferenca të pajustifikuara në inventar, probleme me deklarimin e barnave dhe raste të dyshuara për fiktivitet në dalje faturash dhe deklarime të rreme të inventarit fizik. Për këto raste, Fondi deklaron se janë marrë masa administrative dhe ligjore, përfshirë zgjidhje kontratash dhe kallëzime penale pranë Prokurorisë së Rrethit Tiranë.

Shifrat tregojnë një rritje të fortë të penaliteteve ndaj depove farmaceutike. Në vitin 2025, gjobat arritën në mbi 327.8 milionë lekë, nga vetëm 100 mijë lekë në vitin 2024. Po ashtu, kushtet penale u rritën në mbi 3.5 milionë lekë, nga rreth 86 mijë lekë një vit më parë. Për herë të parë raporti evidenton edhe 5 raste zgjidhjeje kontratash me subjekte farmaceutike.

Raporti i FSDKSH lë të kuptohet se kontrollet gjatë vitit 2025 janë fokusuar më shumë te verifikimi i inventarëve, qarkullimi i barnave të rimbursueshme dhe identifikimi i rasteve të abuzimit në zinxhirin farmaceutik, veçanërisht për barnat me kosto të lartë./ekofin