Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç ka përshëndetur me një videomesazh punimet e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, duke i uruar suksese kreut demokrat, Sali Berisha. Në mesazhin e tij, Plenkoviç vlerësoi marrëdhëniet me Berishën, të cilin e cilësoi mik, ndërsa theksoi se ndajnë të njëjtin orientim të qëndrueshëm pro-evropian. Kryeministri kroat u shpreh se bashkëpunimi mes forcave politike të qendrës së djathtë në rajon mbetet i rëndësishëm për forcimin e vlerave demokratike dhe avancimin e proceseve integruese.
Videomesazhi i Plenkoviç u transmetua gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar të PD-së, ku demokratët po zhvillojnë diskutimet dhe vendimmarrjet e tyre politike.
Mesazhi i Andrej Plenkoviç:
Të dashur miq,
U uroj të gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike të Shqipërisë një kuvend sa më të suksesshëm.
Isha shumë i kënaqur që prita zotin Sali Berisha, mikun tim prej shumë vitesh, në Kroaci gjatë Forumit të IDU-së këtu në Zagreb, disa javë më parë.
Patëm një bisedë të gjerë mbi aktivitetet dhe reformimin e partisë.
Ne ndajmë të njëjtin orientim të qëndrueshëm pro-europian dhe dëshiroj t’ju jap mbështetjen e fortë të Bashkimit Demokratik Kroat për një kuvend të suksesshëm të partisë dhe për suksese të mëtejshme elektorale.
Të gjitha të mirat nga Zagrebi.







