Ishte vetëm 15 vjeç kur nëna e tij, Princesha Diana, humbi jetën në një aksident automobilistik në Paris, teksa përpiqej t’u shpëtonte paparacëve. Kjo përvojë traumatike, e kombinuar me krizat e fundit familjare, është në qendër të dokumentarit të ri me tre pjesë, “William – Vitet fatale të një trashëgimtari të fronit”, i cili transmetohet në platformën e ARD.
Dokumentari i realizuar nga Claire Walding dhe Andreas Fauser shqyrton se si humbjet, presioni i medias dhe pesha e kurorës kanë formësuar karakterin e princit William, sot 43 vjeç.
Ka pasur kohë kur atmosfera në Pallatin Buckingham ishte krejt ndryshe. Në pranverën e vitit 2011, martesa e William me Kate Middleton magjepsi opinionin publik dhe i dha një frymë të re monarkisë britanike, e cila në atë kohë po përballej me kritika dhe humbje popullariteti.
Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, shkëlqimi i atyre ditëve është zbehur nga një sërë goditjesh të rënda: largimi i princit Harry nga detyrat mbretërore, vdekja e Mbretëreshës Elizabeth II, si dhe diagnozat pothuajse të njëkohshme me kancer të Mbretit Charles III dhe të Princeshës Kate.
“Kemi vendosur princin William në ‘divanin e psikologut’”, shpjegojnë autorët e dokumentarit. “Jo për të bërë një diagnozë, por për të kuptuar gjurmët që lë një jetë e shënuar që herët nga humbja, ndarjet dhe pritshmëritë e mëdha.”
Dokumentari rikujton se gjatë viteve ’90 mediat shfrytëzuan pa mëshirë divorcin e Charles dhe Dianës. Në atë periudhë të vështirë, adoleshenti William u bë personi më i afërt dhe rrëfimtari kryesor i nënës së tij.
“Ai e dinte saktësisht se çfarë po ndodhte në jetën e saj të trazuar dhe të ndërlikuar”, thotë ish-korrespondenti i BBC-së, Wesley Kerr.
Përvoja e ndjekjes së vazhdueshme nga paparacët, të cilën më vonë e përjetoi edhe Kate Middleton, shpjegon sipas dokumentarit qëndrimin e sotëm të William. Trashëgimtari i fronit preferon të publikojë vetë përmbajtjen në rrjetet sociale të familjes, shpesh përmes fotografive të realizuara nga Kate, duke mbajtur median sa më larg jetës private të tre fëmijëve të tyre, George, Charlotte dhe Louis.
Nga episodi i dytë e në vazhdim, Kate Middleton shfaqet si një figurë qendrore e dokumentarit. Përtej rolit të saj si mbështetja më e madhe e William në jetën personale, ajo përshkruhet nga ish-korrespondentja e ARD-së në Londër, Annette Dittert, si “arma sekrete diplomatike” e Britanisë.
Si shembull përmendet vizita zyrtare e Donald Trump, i cili u impresionua nga madhështia e pallatit mbretëror, ndërsa Kate kishte një rol të rëndësishëm në pritjen e tij në Kështjellën Windsor.
“Nuk ka Mbret William pa Mbretëreshën Kate. Ajo është rrufepritësi i tij, është pluhuri i artë i pallatit”, thotë historiania Tessa Dunlop, duke lënë të kuptohet se dokumentari i ardhshëm historik i serisë mund t’i kushtohet tërësisht mbretëreshës së ardhshme të Britanisë së Madhe.







