Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar për dhunën e patolerueshme që punonjës të kompanisë private “Major Security” ushtruan ndaj disa qytetarëve në Zvërnec, të cilët protestonin kundër resortit masiv që është planifikuar të ndërtohet në zonë.
Përmes rrjeteve sociale, Braçe thotë se pezullimi i kryepolicit të Vlorës nuk është masë e mjaftueshme, pasi protestuesi që u grushtua e u mor zvarrë nga rojet private ishte “protestues paqësor, i cili thjesht po fliste, në sy të Policisë, në krah të policëve”.
Drejtori i Policisë nuk ka gabuar në informacion, por ka tentuar të fshehë një fakt penal, madje të rëndë, thotë Braçe, i cili shton se indiferenca e trupave të Policisë së Shtetit në vendgjarje, ishte shkaktare e përshkallëzimit të situatës.
Reagimi i plotë i Erion Braçes:
Për ngjarjen në Vlorë
Edhe dhunë, e egër madje; e papranueshme, e patolerueshme! Si e tillë, është krim!
E vlerësoj vendimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për të pezulluar drejtorin e Policisë në Vlorë.
Por nuk mjafton!
Aty është rrëmbyer një protestues paqësor, i cili thjesht po fliste, në sy të Policisë, në krah të policëve. Ai është goditur, është tërhequr zvarrë nga persona të paautorizuar dhe të panjohur nga ligji.
Drejtori i Policisë nuk ka gabuar në informacion, por ka tentuar të fshehë një fakt penal, madje të rëndë.
Për këtë duhet të mbajë përgjegjësi!
Në Plazhin e Dajlanit ishte lajmëruar në Polici se do të zhvillohej një tubim, protestë etj. Kur merr një njoftim të tillë, Policia e Shtetit ka detyrimin të marrë masa për të garantuar tubimin, protestën etj.
Drejtori i Policisë dhe trupat në territor nuk kanë garantuar asgjë!
Madje kanë bërë edhe më keq: kanë lejuar që në vendin e protestës të ketë njerëz me maska, pa asnjë shenjë identifikuese, si element kyç për t’i mbajtur përgjegjës në rast të shkeljes së ligjit.
Për më tepër, këta njerëz janë shfaqur agresivë, fyes e kërcënues, të dhunshëm deri në acarimin e situatës. Shihini pamjet: nuk është vetëm një, por disa të tillë.
Prania e tyre dhe aktet e tyre ndaj protestuesve, si edhe mosveprimi i Policisë ndaj tyre, e çuan konfliktin në konfrontim.
Pra, drejtori i Policisë në Vlorë dhe trupat në vendngjarje jo vetëm që nuk garantuan tubimin, por lejuan edhe përshkallëzimin e protestës për shkak të dhunës së personave me maska.
E drejta e protestës paqësore është një e drejtë e fituar që në vitin 1990 në këtë vend dhe Policia është një prej garantëve të saj.
Ndërkohë që po shkruaj, mësoj se personi që goditi protestuesin është arrestuar. Në fakt, në aktin e rrëmbimit të tij ishin tre persona; u bënë katër me këtë që goditi. Mbeten edhe dy që e tërhoqën zvarrë. Po këta ku janë?
Ndërkohë, zinxhiri komandues i Policisë në Vlorë është vënë nën hetim disiplinor; akt i duhur edhe ky.
Por nëse me Policinë po ndodh kjo, po ky grup njerëzish të veshur me të zeza a po hetohet? Nëse janë roje sigurie të një kompanie të licencuar nga shteti, a mund ta gëzojnë më këtë privilegj?
Dje i panë të gjithë se nuk sollën siguri, por dhunë!







