Analisti Fatos Lubonja ka reaguar pasi kryeministri Edi Rama e përmendi me emër gjatë një daljeje publike lidhur me protestat kundër projektit në Zvërnec.
I ftuar në nje studio televizive, Lubonja tha se sulmi ndaj tij është pjesë e mënyrës së komunikimit të Ramës, i cili sipas tij, sulmon këdo që shpreh qëndrime kritike ndaj qeverisë.
“Është në vazhdën e mënyrës së tij të komunikimit, që aty ku nuk i pëlqen diçka, aty gjen armikun dhe e sulmon. E pashë pjesën ku foli për mua, por nuk dua të flas për veten, dua të flas për shqetësimin që kemi si shqiptarë”, u shpreh Lubonja.
Duke iu referuar deklaratave të kryeministrit se ai ka një “ankth” me mafian që pas ndarjes me të, analisti tha se nuk ka pasur kurrë një marrëdhënie personale apo politike të tillë me Ramën.
“Me Edi Ramën më kanë bashkuar dikur disa ide si intelektualë, ide për politikën, kulturën dhe vizionin e Shqipërisë. Ai që është ndarë nga ato ide nuk jam unë, por Edi Rama, i cili ka përqafuar atë që unë e quaj mafia e ndërtimit dhe e pushtetit”, deklaroi Lubonja.
Sipas tij, projekti në Zvërnec është në kundërshtim me parimet që Rama dhe një grup intelektualësh promovonin vite më parë.
Lubonja tha se protesta në Zvërnec nuk ishte organizuar prej tij, por se ai iu bashkua qytetarëve për të shprehur kundërshtimin ndaj projektit.
“Ngjarja e Zvërnecit zbërthen të gjithë sistemin e pushtetit të Edi Ramës. Ky pushtet mbahet mbi katër shtylla. E para janë oligarkët. E dyta është krimi i organizuar dhe paratë e tij, që lidhen me oligarkinë dhe shtetin. Tokat e privatizuara në mënyrë të dyshimtë dhe ndërtimet që po shtrihen kudo janë pjesë e kësaj skeme”, tha ai.
Analisti akuzoi gjithashtu disa nga mediat kryesore për heshtje ndaj çështjes së Zvërnecit, duke pretenduar se ato kanë interesa të lidhura me pushtetin dhe investimet strategjike.
“Këmba e tretë janë mediat që heshtën për këtë ngjarje. Po të shikosh mediat kryesore, ato kanë përfituar statuse dhe interesa që i lidhin me qeverinë. Këmba e katërt janë ndërkombëtarët e korruptuar, që përdoren për t’i dhënë legjitimitet ndërkombëtar Edi Ramës”, deklaroi Lubonja.







