Lidhja mes ‘yllit’ të Formulës 1, Lewis Hamilton, dhe biznesmenes së njohur amerikane, Kim Kardashian, duket se ka hyrë në një fazë më serioze, pasi të dy kanë hedhur hapa të rëndësishëm në marrëdhënien e tyre.
Sipas revistës ‘People’, Kim Kardashian është “shumë e lumtur” me zhvillimin e kësaj lidhjeje, ndërsa fakti që Lewis Hamilton ka kaluar kohë me katër fëmijët e saj shihet si një shenjë e qartë besimi. Burime pranë saj theksojnë se ajo është jashtëzakonisht selektive dhe mbrojtëse kur bëhet fjalë për njerëzit që u prezanton fëmijëve të saj, ndaj ky hap konsiderohet domethënës.
Kim Kardashian është nënë e katër fëmijëve, North, Saint, Chicago dhe Psalm, nga martesa e saj me Kanye West. Sipas të njëjtave burime, ajo nuk nxiton në marrëdhënie, por preferon që çdo hap të jetë i menduar mirë, sidomos kur përfshihen fëmijët.
Romanca mes dyshes nisi të përflitet në fillim të vitit, pas një takimi në Paris, edhe pse ata njihen prej më shumë se një dekade. Më pas, në muajin mars, ata kanë kaluar pushime së bashku në Tokio, ku Hamilton ka ndarë momente edhe me fëmijët e saj.
Marrëdhënia u bë më publike në prill, kur Hamilton publikoi një video në rrjetet sociale gjatë një udhëtimi në Japoni, ku Kim Kardashian shfaqej pranë tij në makinë. Që nga ajo kohë, çifti është parë disa herë së bashku në evente publike, përfshirë edhe Coachella në Los Anxhelos dhe Super Bowl.
Burime pranë çiftit theksojnë se marrëdhënia po ecën në mënyrë të qetë, por me hapa të sigurt, ndërsa të dy duket se po shijojnë këtë periudhë larg presionit mediatik.







