Prokuroria dyshon se 11 punonjës në një bankë të nivelit të dytë, nëpërmjet falsifikimit dhe ndërhyrjeve në sistemin kompjuterik, iu vodhën 2 klientëve, 309 740 euro dhe 92 000 dollarë.
Në kuadër të operacionit “Wrong Transaction”, pas një hetimi proaktiv rreth kallëzimeve të 2 shtetasve, kryer nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, u ekzekutuan këto masa sigurie:
-masa “Arrest në burg”, për shtetasit A. K., 33 vjeç dhe G. H., 38 vjeç, banues në Tiranë, përkatësisht drejtor dhe zëvendësdrejtor i një filiali banke të nivelit të dytë;
-masa “Arrest në shtëpi”, për shtetaset G. B., 42 vjeçe, D. D., 24 vjeçe, O. K., 24 vjeçe, R. S., 27 vjeçe dhe Zh. B., 26 vjeçe, banuese në Tiranë, të gjitha punonjëse shërbimi në këtë bankë;
-masa “Pezullim i ushtrimit të detyrës a shërbimit publik”, për shtetasit E. Q., 47 vjeçe, I. D., 25 vjeçe, E. K., 38 vjeçe dhe B. M., 25 vjeç, banues në Tiranë, të gjithë punonjës shërbimi në të njëjtën bankë.
Në vijim, u shpall në kërkim shtetasja B. N., 25 vjeçe, gjithashtu punonjëse shërbimi, për të cilët është caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Punohet për kapjen e saj.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, duke shpërdoruar detyrën respektive, kanë falsifikuar dokumente dhe kanë ndërhyrë në sistemet bankare të 2 klientëve në bankë, për të vjedhur nga llogaritë e tyre, 309 740 euro dhe 92 000 dollarë në total.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.







