Ministria e Infrastrukturës ka prerë faturën e parë të gjobës për shkeljen e afateve ligjore për përfundimin e Aeroportit të Vlorës. Lajmi u bë publik nga ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, një ditë më parë, pas mbledhjes së qeverisë.
“Çdo ditë apo çdo muaj vonesë ka penalitete. Kemi lëshuar faturat e para të penalitetit për vonesat përkatëse. Aeroporti do të ndërtohet dhe do jetë operacional”, tha Karakaçi.
Kapitali ka mësuar se fatura totale e gjobës që ka lëshuar qeveria për koncesionarin është 30 mijë euro ose më pak se 3 milionë lekë dhe ajo i është dërguar kompanisë pak ditë më parë.
Sipas kontratës koncesionare, kompania është e detyruar të paguajë një gjobë të barazvlefshme me 10 mijë euro për çdo muaj vonese nga afati përfundimtar. Kjo kontratë parashikonte si afatin final të përfundimit të ndërtimit dhe vënien në funksion të Aeroportit fundin e shkurtit të këtij viti.
Si rezultat, qeveria i ka prerë kompanisë faturën e gjobës për tre muajt e vonesës, mars-prill-maj.
Penalitetet qesharake të vendosura në kontratën koncesionare duket se nuk kanë asnjë ndikim për të shtrënguar kompaninë koncesionare që të realizojë ndërtimin e aeroportit sipas afatit. Përtej kësaj, është e paqartë se çfarë do të ndodhë pas afatit maksimal 6 mujor të penaliteteve për vonesë që parashikon marrëveshja e koncesionit.
Teorikisht shtetit i lind e drejta që të prishë kontratën për moszbatimin e saj, por kjo duket e vështirë në praktikë. Gjithsesi Karakaçi tha se dy aksionerët e projektit janë paralajmëruar.
“Ne duam të zbatojmë kontratën. U kam dërguar shkresë dhe u kam kërkuar që mosmarrëveshjet nuk duhet të jenë shkak për bllokimin e aeroportit. U kam lënë afat 30-ditor të zgjidhin mosmarrëveshjen civile që kanë,” tha ai.
Gjasat janë që aeroporti i Vlorës të mos përfundojë as këtë vit, ndërkohë që kompanitë ajrore të cilat kishin paralajmëruar se do të fluturonin në këtë aeroport, kanë filluar të tërhiqen sicc ishte rasti i zvicerianes Chair.







