Ballina Kronika Pëllumb Gjoka në GJKKO: “Jam dënuar publikisht, nuk kam lidhje me akuzat”

Pëllumb Gjoka në GJKKO: “Jam dënuar publikisht, nuk kam lidhje me akuzat”

63
0

Biznesmeni Pëllumb Gjoka foli para Gjykatës së Posaçme dhe u shfajësua për akuzat e ngritura nga SPAK. Gjoka u arrestua në kuadër të dosjes “Metamorfoza” bashkë me anëtarë të grupit kriminal Bajri.

Deklarimet e plota

Siç e dini, akuzohem për vrasjen e Gjin Ndojit. Akuzohem se kam gjetur vendin ku do rrinte makina dhe se kam vënë e marrë vrasësit. Kushdo që ka organizuar, marrë pjesë, folur një herë të vetme që të vritet, kushdo që ka gjetur vendin e makinës ka bërë një veprim kriminal. Por më kriminale është ngritja e akuzës ndaj meje.

Herën e kaluar më pyetët a jam i dënuar. Unë de facto jam dënuar, se më është bërë një gjyq publik.

Çfarë nuk kam dëgjuar. Më kanë akuzuar për trafik, për vrasje, çfarë epitetesh kam dëgjuar.

Gjyqet publike nuk janë për të zbardhur të vërtetën.

Gjyqet publike bëhen për t’i bërë presion gjyqtarëve. Gjithë këtë histori e kanë bërë për shkëmbime favoresh.

Unë kam 30 vjet që merrem me biznes. Bizneset kryesore i kam pasur lokalet e natës dhe lojërat e fatit. Janë biznese që paragjykohen. Unë jam munduar të jem i kujdesshëm, të shtrij këmbët sa kam jorganin. Për këtë jam habitur, nuk di ku kam shkelur. Kam 3 vjet në paraburgim e nuk di çfarë kam bërë.

Gjithë kjo histori nuk di si do sqarohet. Siç e tha avokati, dy palët jemi futur në llogore. Prokurorët e dinë që janë gabim, por vazhdojnë të mendojnë të njëjtën gjë.

Në hasmëri më kanë futur, aktivitetin ma kanë bllokuar.

Për të futur në burg një njeri është përgjegjësi e madhe. Në burg je një i vdekur që ecën. Me thashetheme e me lehtësi me të futur në burg e në hasmëri, nuk e di.

Janë shumë familje të ngujuara edhe unë ju garantoj, që historia që kanë nisur këta, do vazhdojë.

Këtu do të vriten njerëz, por përgjegjësia e kujt është.

Këta po i detyrojnë njerëzit të bëhen kriminelë.

Napoloni ka thënë: “Gjylja e topit e maja e lapsit kanë një material, por maja e lapsit vret më shumë”. Këta e kanë mprehur fort majën e lapsit.

Procedimi penal nuk ka nisur kur thonë prokurorët. Ka nisur më herët. Është bërë një kërkesë që unë të futem në burg. Pastaj kanë gjetur modalitetet. Kanë gjetur një kushërirën time. I kanë thënë të bëjë një kallëzim.

Më vonë dy oficerë i kanë marrë një deklarim. Ndërkohë, këta policë kanë pasur edhe përgjimet e SKY. Ato përgjime i kanë pasur policët e antiterrorit. I kanë pasur rrugëve.

Po për çfarë e kanë nisur procedimin? Kushërira ime e ka bërë kallëzimin edhe në Shkodër, edhe në Lezhë e pastaj edhe në Tiranë. Kallëzimi i referohet një procedimi penal të bërë në Shkodër.

Kallëzimi i saj është hetuar e gjykuar. Për atë më kanë vënë një sekuestro toke. Unë atje kam blerë 130 dynym tokë. Është blerë para noterit. Kjo çështje ju shërbeu këtyre për të bërë gjyqe popullore. Janë po ata oficerë që kanë nisur procedimin penal, që kanë pasur bisedat e SKY.

Argumenti i tyre se si e kanë gjetur është sekret. Pra unë akuzohem mbi një sekret.

Edhe nëse këto thashethemet e SKY kanë vlerën e provës, edhe sikur të jenë të mirëqena, po gjykohem mbi thashetheme.

Unë nuk kam qenë përdorues i SKY. Por për një moment, po themi se jam.

Të them, si është bërë identifikimi?

Nuk ka asnjë provë shkencore që të jem abonent i SKY, asnjë provë fizike që unë jam abonent i SKY.

Procesverbali thotë se nga analiza e një komunikimi rezulton se fjalia e parë thotë “Jam Dritani”. Këta thonë, është Arditi.

Në biseda flitet për një femër që ankohet për 100 dynym tokë.

Oficerët bazohen te një kallëzim në Shkodër, ku ankesa është për tridhjetë e ca hektarë.

Më tej thuhet “është e çmendur, është e çmendur”. Ky nuk është teksti im. Unë nuk shprehem kështu. Unë e flas në dialekt.

Gjatë seancës paraprake prokurori Xhevahir Lita u përball me një procesverbal deklarimi gjatë gjykimit, ku ishin thëniet e tij.

Ditën e arrestimit më kanë ardhur nja 50 policë. Nuk kanë gjetur asnjë gjë, një armë gjahu.

Marrim analizën e kodeve. Për një moment, po i marrim si të vërteta, sikur kodi i pretenduar është i Behar Bajrit.

Nëse e marrim të mirëqenë, në çdo bisedë ai flet vetëm për punë dhe të gjitha thëniet e tij janë kontradiktore.

Në një vend ai thotë “dua ta heq njërin, por emrin nuk ia di”.

Në një tjetër bisedë, kodi i pretenduar si i tij, thotë “sa lekë më jep për Visi”. Nuk di sa i thotë ai. Njëherë thotë “e bëj se janë shumë lekë”. Pastaj thotë “duan me t’vra”. Më vonë thotë “nuk vras njeri se kam fëmijë”.

Më akuzojnë për korrupsion. Po e quajmë se ai kodi në SKY është i imi. A mund ta di se për çfarë kam bërë korrupsion? Unë nuk e di për ç’episod jam. Thonë kam ndërhyrë te dy gjyqtarë. Vetë dy gjyqtarët thonë “nuk e njohim”. Tani, cilët janë më të besueshëm, gjyqtarët apo kapterat që kanë zbardhur SKY?

Për përgatitjen e kushteve për të vrarë Genc Tafilin, nuk ka asnjë bisedë, asnjë komunikim.

Unë nuk kam asnjë konflikt me ta.

Për Ibrahim Licin e Dorian Dulin janë thashetheme SKY.

Për Kleathi Musabelli është e vërtetë që kam pasur një konflikt me të.

Nëse ka një komunikim mes kodit që prokurori thotë që kam pasur unë dhe atij që thotë se ka pasur Behar Bajri, ku flitet për vrasjen e Gjin Ndojit, pranoj çdo lloj akuze. Nëse ka ndonjë bisedë se ku do të rrinte makina e vrasësve, unë pranoj çdo lloj akuze.